Martin Përgjini (Anton Gjini), i shpallur në kërkim si autori i dyshuar i vrasjes se Pjetër Kolës (GJOKA), një vit më parë në Pukë, është vënë në pranga.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër ndaluan shtetasin M. Gj., 37 vjeç, banues në fshatin Kalivaç, Lezhë, pasi Gjykata e Pukës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 37-vjeçari akuzohet se më datë 27.09.2022, në fshatin Kurthpulë, Pukë, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin P. K., për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet tij dhe viktimës, të cilët dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë për kultivim të bimëve narkotike”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Si ndodhi ngjarja
Kola u vra mbrëmjen e 27 shtatorit 2022 me një plumb në bark. Ai i dërgua i plagosur nga i vëllai dhe një person tjetër në Qendrën Shëndetësore të Vaut të Dejës. Më pas mjekët e nisën për në spitalin e Shkodrës, ku dhe ndërroi jetë gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.
Dyshohet se shkak i ngjarjes u bë prishja e pazareve të drogës. /Albeu.com.