Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 22 vite burg për për Arbër Paplekajn, për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.
Ngjarja ndodhi pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, në lagjen “5 Maj” të qytetit të Elbasanit.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Xhuvani ndërsa të plagosur mbetën një efektive policie Xhensila Sota, edhe tre persona të tjerë.
Përplasja me armë ndodhi për shkak të një konflikti për zgjedhjet.
Kujtojmë se Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.
“Kam kaluar testin e integritetit nga agjencitë amerikane kur jam dërguar ne Afganistan. Jam dekoruar nga kryeministri për luftën e antiterrorist. Kam qenë 10 vjet me armë në brez. 10 vjet jam përplasur me grupe kriminale dhe kurrë s’e kam përdorur. Pasi më shanë, më dhunuan dhe më qëlluan shokun me plumb më thoni ç’duhet të beja? Nuk pata rrugë tjetër. Nuk desha me e vra atë djalë. Nuk gëzova me e vra atë djalë. Mbrojta jetën teme. U përballa me instiktet. Jam ish anëtar i forcave speciale. Dhe instikti i parë për të cilin jam stërvitur është të reagoj kur rrezikohet jeta ime apo e dikujt. Në momentin që sheh armën reagon. E njihni teorinë e qenve të Pavollovit? S’kam vepruar me zemër. Kam qenë makineri. Kam reaguar si jam stërvitur për dhjetëra vite”, tha ai kur u dorëzua.
Avokati i Paplekajt, Mirash Martini nuk ka qenë i bindur me vendimin e Gjykatës së Elbasanit.
Duke u shprehur se Gjykata qëllimisht dëshiron të njihet vetëm me gjysmë të vërteta, avokati tha se do të ankimohet në Apel.
“Ju keni qenë më pranë të vërtetës sesa policia dhe prokuroria. Në dy vite që ka vazhduar ky gjykim kam jetuar me dhimbjen e familjarëve të Pjerin Xhuvanit. Vendimi që në fillim të ngjarjes ka patur përpjekje për të fshehur episodet e mëparshme e më vonë edhe aktet për ta deformuar ngjarjen. Me gjithë konsideratën që kam shprehur për Gjykatën për respektimin formal të proceduarave ata kanë rrëzuar disa kërkesa tonat në mënyra të vazhdueshme me sqarimin e së vërtetës dhe reegullimin e disa deformimeve me rindërtimin e vendit të ngjarjes dhe një eksperimenti hetimor tekniko-urabistik që do të përcaktonte vendndodhjen e qitësve dhe rrethanave të tjera. Ky refuzim pengonte zbulimin e së vërtetës. Tashmë është e provuar që Paplekaj ka qëlluar me armë por pjesa tjetër e së vërtetës janë refuzuar për t’u zbuluar. E siç e dini një gjysmë e vërtetë mund të shndërrohet në një gënjeshtër të madhe. Shpresojmë që Apeli do të ketë vullnetin për të mësuar të vërtetën dhe kurajën. Natyrisht do ta ankimojmë në momentin që do të njihemi me arsyetimin.”- thotë avokati.