Vrasja e Nezir dhe Gentjan Beqirit në 2012-ën, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me burg përjetë për Ardjan dhe Florenc Çapjan

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO për dënimin me burg përjetë të Florenc Çapjas dhe xhaxhait të tij, Ardian Çapja.

Ata janë shpallur fajtor për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012.

Gjyqtarët rrëzuan rekursin e paraqitur nga Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Etjen Cani, Klajdi Dokoli, Ervis Bardhi, duke miratuar vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 15 nëntor 2023.

Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani u dënuan me 25 vite heqje lirie, ndërsa Ervis Bardhi me 15 vjet heqje lirie.

Sipas Apelit të GJKKO, Ardian Çapja dhe Florenc Çapja u dënuan për veprat penale si “vrasje në rrethana të tjera cilësues”, “grup të strukturuar kriminal”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, si “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Ndërsa anëtarët e tjerë të bandës, duke përfshirë këtu, Ervis Bardhin, Klajdi Dekolli dhe Etjen Canin, do të dënohen me 15 deri në 25 vite burg për veprën penale, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” si dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Ervis Bardhi është ai që ka treguar me detaje vrasjen e ndodhur në vitin 2012 në Elbasan.

VRASJA E GENTIAN DHE NEZIR BEQIRIT

Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në “Arrest shtëpie” dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga pjesëtarët e një fisi tjetër.

Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar.

Ai është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas, në dalje, dy autorët, mbytën edhe të atin e tij, Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivët e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.

DINAMIKA E NGJARJES

Polici Neshat Budani 11 vite më parë ishte me 2 kolegët e tij në ruajtje të apartamentit të Gentian Beqirit, ku prindërit e tij kishin vendosur dy karrige. Neshat Budani ka shkuar në makinën e tij për të bërë mjekimin me “Insulinë”, (pasi rezultonte se ky polic vuan nga sëmundja e diabetit) dhe si ka kryer mjekimin ka qëndruar rreth 15 minuta i shtrirë në automjetin e tij, ndërkohë që Sami Derstila vazhdonte të qëndronte brenda në automjetin e tij, duke vazhduar ngrënien e mëngjesit.

Pikërisht në këtë moment, Etien Cani dhe Elvis Bardhi kanë shfrytëzuar neglizhencën e dy policëve që ruanin Gentianin, dhe kanë ngjitur shkallët e pallatit. Në banesë ndodheshin Gentian Beqiri, që flinte gjumë, dhe babai i tij, Neziri. Autorët kanë trokitur në derë dhe ajo është hapur nga Neziri.

I moshuari është rrahur barbarisht nga Etien Cani dhe Elvis Bardhi, duke pësuar infarkt në zemër dhe ka vdekur në korridor. Ndërsa Gentiani është qëlluar me plumba në kokë dhe trup, teksa flinte në krevat! Dy vrasësit kanë përdorur pistoletë me silenciator ndërkohë që janë larguar me shpejtësi, pa u vënë re nga dy policët që ndodheshin jashtë pallatit. Pas rreth 30 minutash, punonjësi i policisë, Sami Derstila, si ka përfunduar mëngjesin është ngjitur në katin e pestë të pallatit, pikërisht në banesën e Gentian Beqirit, për të kryer kontrollin e të arrestuarit.

Si është afruar në derën e jashtme të banesës, fillimisht ka trokitur e më pas është futur në ambientet e brendshme të banesës. Sapo është futur brenda, Sami Derstila ka gjetur në korridor të shtrirë në dysheme Nezir Beqirin babai i të arrestuarit Gentian Beqiri), i cili kishte shenja dhune. Sami Derstila, është munduar t’i japë ndihmën e parë pasi Nezir Beqiri, kishte shenja jete, por nuk ka mundur dot të flasë.

Sami Derstila, menjëherë ka thirrur Neshat Budanin, ndërkohë që ka hyrë në dhomën e gjumit ku ndodhej i arrestuari Gentian Beqiri. Në këtë moment ka mbërritur dhe Neshat Budani dhe si kanë hyrë brenda në dhomë, kanë gjetur të vdekur në krevatin e tij Gentianin. Dy punonjësit e Policisë kanë dalë menjëherë nga banesa për të konstatuar ndonjë person të dyshuar dhe disa metra larg kanë parë të largohen persona të panjohur.


Shtuar 5.02.2026 18:44