Vrasja e Martin Canit/ Prindërit kërkojnë dorëheqjen e Manastirliut: Të hënën, protestë në orën 17:00

Paraditen e sotme, prindër të shumtë u mblodhën pranë shkollës “Fan Noli” në shenjë proteste, vetëm gjashtë ditë pas ngjarjes tragjike ku 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën, i goditur me thikë nga një bashkëmoshatar.

Gjatë tubimit, prindërit lexuan një sërë kërkesash të drejtuara qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse.

Ndër kërkesat kryesore ishte dorëheqja e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, duke e konsideruar atë përgjegjëse për dështimin në garantimin e sigurisë në shkolla.

Ata paralajmëruan gjithashtu një protestë që do të zhvillohet ditën e hënë, në orën 17:00, për të kërkuar drejtësi për Martin Canin dhe për të shprehur shqetësimin mbi dhunën në institucionet arsimore.

Prindërit theksuan se ngjarja tragjike është pasojë e mungesës së masave efektive për sigurinë në shkolla dhe kërkuan veprime konkrete, për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla.

Protesta e tyre vjen si një apel për ndërgjegjësim dhe për një përgjigje të menjëhershme nga autoritetet.


Shtuar 23.11.2024 10:40