Vrasja e Martin Canit/ Reagon Policia: S’ka autor të dytë, ja si ndodhi ngjarja

Policia e Shtetit, ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë të 18 nëntorit, ku u vra me thikë 14-vjeçari Martin Cani, ku për herë të parë sqaron dinamikën e krimit.

Sipas policisë, autori i vrasjes Mario Perlleshaj, është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima Martin Cani dhe shoku i tij, Luis Meçja.

Më tej, vijon policia, Perlleshaj ka reaguar duke qëlluar me thikë.

“Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit.

Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit”, thotë policia.

Uniformat Blu, bëjnë me dije se nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit shpreh indinjatë për keqtrajtimin publik që kulmoi me lajmin e rremë të pranisë së një autori të dytë me thikë, në vrasjen tragjike të ngjarjen e datës 18.11.2024, ku humbi jetën nxënësi 14-vjeçar M. C.

Pavarësisht komunikatave të Policisë së Shtetit, të cilat nuk janë lajme portalesh po informacion për publikun me përgjegjësi të plotë ligjore, një sërë burimesh të hapura u angazhuan fort dhe vazhdojnë të dizinformojnë opinionin publik lidhur me autorësinë e ngjarjes. Kjo qasje shpërfillëse ndaj të vërtetës dhe lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut, e cila me qëllim apo me mungesë ndërgjegjeje të theksuar politike ose profesionale nga aktorët e medias, nxit pasiguri e mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duhet të ndalet.

Nga veprimet hetimore të deritanishme të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, veprime te cilat jane të bazuara në prova të pakontestueshme për ngjarjen tragjike dhe autorësinë e saj, rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar në materialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor.

Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit.

Nga veprimet hetimore dhe proceduriale në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shakllës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit.

Grupi i posaçëm hetimor po punon pa orar për të bërë dokumentimin përfundimtar ligjor të ngjarjes. Policia e Shtetit u bën thirrje publikisht të gjitha burimeve të informimit publik të mos vazhdojnë të hedhin dyshime të pabaza mbi këtë ngjarje tragjike. Nga ana tjetër Policia e Shtetit e siguron me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore opinionin publik se çdo version tjetër i ngjarjes në fjalë është i gënjeshtërt.

Policia e Shtetit bën me dije publikun se në çdo rast do të vazhdojë të informojë sipas të dhënave, provave dhe fakteve të përfituara nga grupi hetimor në këtë rast dhe në çdo rast, gjithmonë duke ruajtur sekretin hetimor dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë në këtë rast dhe kudo tjetër në çdo rast.


Shtuar 28.11.2024 12:36