Këtë të premte, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pritet të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Një seancë e tillë ishte paraparë të mbahej më 27 janar, por u ndërpre pak pasi nisi për shkak se avokatët e dy të akuzuarve thanë se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.
Ata thanë se duke mos pasur shkresat e nevojshme, nuk mund të këshillojnë klientët e tyre si të deklarohen për aktakuzën.
Gjyqtarja u kërkoi që në seancën e 31 janarit, ekipet mbrojtëse të jenë të përgatitura.
Të akuzuar në këtë rast janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, dhe tre të tjerë, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tom Dodaj.
Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se kishte ngritur aktakuzë për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, deklaroi më 15 janar se jatë kohës që çifti jetonte në Suedi – së bashku me dy fëmijët e tyre – ata kishin pasur “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.
“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.
Deri te ky informacion, sipas prokurores, autoritetet erdhën pas bashkëpunimit me shtetin e Suedisë, pasi Prokuroria në Prishtinë kishin kërkuar të dhëna rreth jetës së çiftit dhe marrëdhënies së tyre martesore.
“Vetëm atëherë arritëm të krijojmë një pamje të plotë të jetës së tyre dhe të gjejmë motivin që e shtyu Naim Murselin të marrë vendimin për largimin e Liridonës, për të mos thënë likuidimin e saj, sepse mënyra e kryerjes së veprës tregon qartë një akt të tillë si likuidim”, deklaroi Përlinçeviq.
Kryeprokurori i Prokurorisë në Prishtinë, Zejnullah Gashi, gjatë konferencës për media më 15 janar deklaroi se vrasja e kryer nga “anëtari i familjes” u krye në “mënyrë dinake”, prandaj shtoi se pret dënim kapital nga gjykata.
Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërkaq Kokalla dhe Plava, sipas organit ndjekës ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt, sipas Prokurorisë është i përfshirë në mënyrë të tërthortë në këtë rast, përkatësisht ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.
Murseli, Kokalla dhe Plava gjenden në paraburgim, ndërkaq Dodaj po mbrohet në liri.
Vrasja e Liridona Ademajt kishte shkaktuar zemërim në publik edhe për faktin që bashkëshorti i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varrimit.
Familja e Liridonës kishte kërkuar zhvarrosjen e trupit të saj, në mënyrë që ajo të varrosej vranë varrezave të prindërve të saj, ndërkaq aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.