Zbardhet ngjarja në Shkodër. Policia ka dhënë detaje lidhur me shpërthimin e ndodhur në panelin elektrik. Pas hetimeve intensive është zbuluar se Hysni Ymeri, ka humbur jetën pas shpërthimit me lëndë eksplozive. Vrasja ndodhi më datë 29.12. 2025 në lagjen Manush Alimani.
Në pranga kanë rënë Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi. Sipas policisë, këta shtetas kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi Hysni Ymeri.
Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.
Ndërkohë vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim;
dhe “Prishja e qetësisë publike”.
