Këtë të hënë, zhvillohet seanca në Apel për Elvis Shkambin, autorin e dyshuar të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, xhaxhain e tij, Gjon Shkambi dhe rojen e sigurisë, Banush Koxhaj.
Astrit Kalaja, u qëllua për vdekje më 6 tetor brenda sallës së gjyqit nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, teksa po jepte një vendim për çështje pronësie.
Autori i dyshuar i ngjarjes, Elvis Shkambi, një prej palëve në procesin që po gjykohej nga i ndjeri, po hetohet për 3 akuza penale “Vrasje e fuksionarëve publik”, “Vrasja në rrethana të tjerë cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyse dhe municionit”.
Xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi i pranishëm në sallën e gjyqit, dyshohet se ka qenë në dijeni se nipi i tij ka patur armë me vete dhe ka qenë në dijeni të planeve të tij, për të vrarë gjyqtarin e Apelit nëse do jepte një vendim në dëm të tyre.
Sakaq, roja i sigurisë së Gjykatë së Apelit, Banush Koxhaj, po hetohet për “Shpërdorim detyre”, pasi nuk ka kryer kontroll fizik në momentin që Elvisi hyri në gjykatë për seancën, i armatosur.
Dëshmia dhe dinamika
Një nga pikëpyetjet më të mëdha të ngritura pas ngjarjes së rëndë që ndodhi më 6 tetor, është hyrja me armë e 30-vjeçarit Elvis Shkambi, i cili së bashku me xhaxhain e tij Gjonin, kaluan detektorin pa asnjë problem dhe qëndruan në pritje të seancës në sallën e pritjes.
Për rreth dy orë në një qetësi absolute, si vrasësi i mëvonshëm i gjyqtarit Kalaja ashtu dhe xhaxhai, nuk shprehin në mimikën e tyre asnjë trazim që mund të çojë në dyshimin se një tragjedi do të pasojë.
Elvis Shkambi, i cili më pas përballë grupit hetues do të rrëfejë se armën pistoletë, e kishte fshehur në brezin e përparmë të pantallonave poshtë bluzës.
Duke shmangur kështu vendosjen në një çantë dore që mund të dekonspironte të gjithë skenarin e tij.
Skenar që nuk mund të quhej i përmbushur, nëse nuk do të ishte shoqëruar edhe me mungesën e vigjilencës së rojes së sigurisë i cili ndërsa dëgjon kushtrimin e kuq të alarmit të detektorit, nuk kryen asnjë veprim për të ndalur personat e mundshëm që kishin shkelur protokollin e sigurisë.
“Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi. Gjatë kësaj kohe në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi Banush Koxhaj me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës”, thuhet nga hetimet paraprake.
Sipas zbardhjes së mëtejshme së dinamikës në të cilën zhvillohet ngjarja. Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij Gjon Shkambi, vihen re të qëndrojnë të palëvizur në sallën e pritjes deri në 15.29 minuta.
Koha kur nga altoparlanti i gjykatës vjen thirrja që palët të bëhen gati për seancën. Momenti kur xhaxha dhe nip lëvizin drejt sallës ku do të mbahej verdikti mbi çështjen ku këtë herë ata ishin palë e paditur.
Një skenë e cila zhvillohet në harkun e 6 minutave të vetme, nga ora 15.29 minuta deri në orën 15.35 minuta.
Momenti kur jashtë sallës ku po jepej vendimi, dëgjohen të shtëna të njëpasnjëshme dhe më pas njerëz të gjakosur që lëvizin në panik e sipër.
“Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi, qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës së Apelit deri në orën 15.29 minuta”,
Më pas, ata futen në ambientet e sallës nr 3 të zhvillimit të seancës gjyqësore.
Ku në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin, shtetasi Elvis Shkambi, që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Njëkohësisht, pas këtij veprimi, Elvis Shkambi, i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve Ragip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj, duke i plagosur të dy, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ajo që vihet re gjatë momentit kur Elvis Shkambi nxjerr armën dhe qëllon mbi gjyqtarin Astrit Kalaja, është se xhaxhai i tij Gjoni, nuk ndërrmerr asnjë veprim për ta ndaluar.
Por qëndron i palëvizur në sallë. A thua sikur të ishte përpara bezes së një filmi që po jepej ndërkohë në kinema. Ç`ka ka rritur dyshimin te grupi hetues se ai mund të ishte në dijeni të aktit që ndërmori nipi i tij.
“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Gjon Shkambi nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, ç`ka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit ose dhe ndihmësit.
Pas ngjarjes, Elvis Shkambi ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Dhe pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.
E mbijetuar nga masakra brenda gjykatës ishte dhe sekretarja e gjyqtarit. Një plumb përshkoi kompjuterin ku ajo po zbardhte vendimin.
“Teksa po dilte vrasësi me drejtoi armën. Më tha: ‘Nuk kam asgjë me ty’. Ai u largua qetësisht nga salla e gjyqit. Kam bërtitur me të madhe duke kërkuar ndihmë. Më pas mësova se gjyqtari ndërroi jetë”, ka rrëfyer para hetuesve sekretarja e gjykatës.
Elvis Shkambi,u përpoq të shfajësohej dhe të shprehej se vrasjen nuk e kishte paramenduar, ndërsa xhaxhai i tij, Gjon Shkambi nuk ka dhënë asnjë shpjegim para gjykatës.
“Vrasjen e gjyqtarit nuk e kisha menduar dhe as planifikuar. Kur ai dha vendimin mu errën sytë. Qëllova në drejtim të tij, jo me qëllimin për ta vrarë. Armën e zjarrit e mbaj prej 10 vitesh dhe në çdo institucion shkoja i armatosur. Unë punoj prej vitesh në agjenci inteligjente”, mësohet të jetë shprehur vrasësi i gjyqtarit Astrit Kalaja.
Në fakt pavarësisht komunikatës së policisë e cila thotë se Elvis Shkambi, u neutralizua dhe u prangos menjëherë nga punonjësit e policisë, e vërteta e dokumentuar nëpërmjet pamjeve të tjera filmike, rezultoi se autori pasi kishtë dorëzuar armën te një nga nëpunësit e gjykatës, i priti me duar në xhepa efektivët e policisë në oborrin e Gjykatës.
Sikundër në këto pamje ku Elvis Shkambi, dëgjohet teksa orienton një nga punonjësit e policisë të drejtohen nga ai, pasi është ai vrasësi që po kërkojnë.
