Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon SPAK: Akt i rëndë! Thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në dhe forcimin e masave mbrojtëse për punonjësit e drejtësisë

Prokuroria e Posaçme ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja dhe plagosje e dy qytetarëve të tjerë në sallën e gjyqit ditën e sotme, në Gjykatën e Apelit.

SPAK ka shprehur ngushëllimet për familjen e gjyqtarit të vrarë, teksa e konsideron aktin e rëndë si një nevojë emergjente për të rritur sigurinë nëpër gjykata.

“Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme”, thekson SPAK.

Reagimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm.

Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës.

Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme.


Shtuar 6.10.2025 19:04