Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon Prokurori i Përgjithshëm: Cenim i thellë i shtetit ligjor, të forcohet siguria e magjistratëve

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pasi mori tre plumba në kraharor, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur nga të shtënat.

Në një deklaratë publike, Prokurori i Përgjithshëm e vlerëson si shumë të rëndë ngjarjen e ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, “e cila përveç se ka sjellë humbjen e jetës së një njeriu dhe plagosjen e dy të tjerëve, në të njëjtën kohë ka cenuar thelbësisht funksionimin e shtetit ligjor”.

“Prokurori i Përgjithshëm i përcjell ngushëllimet familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe bën thirrje që të gjithë të ndërgjegjësohen e të kontribuojnë për forcimin e sigurisë së magjistratëve në të gjitha aspektet. Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes në bashkëpunim me Policinë e Shtetit”, thuhet në deklaratë.


Shtuar 6.10.2025 22:34