Prokuroria e Tiranës, ka zbardhur të plotë mekanizmin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit rreth një javë më parë.
Referuar edhe kamerave të sigurisë, rezulton se pranë sallës nr. 3 ka hyrë Gjon Shkambi dhe nipi i tij Elvis Shkambi, si dhe Ragip dhe Ervis Kurtaj.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Astrit Kalaja, Elvis Shkambi, i cili ndodhej në sallë, ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri pistolete dhe ka qëlluar disa herë në drejtim te gjyqtarit Astrit Kalaja.
Njëkohësisht, pas këtij veprimi Elvis Shkambi, i drejton pistoletën Ragip Kurtajt dhe Elvis Kurtajt, të cilët tentojnë të dalin nga salla dhe qëllon një herë me armë zjarri në drejtim të tyre, ku Ervis Kurtaj është dëmtuar në krahun e djathtë, ndërsa shtetasi Ragip Kurtaj është dëmtuar në pjesën e brinjëve në krahun e majtë.
Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar arma e zjarrit, pistolete me mbishkrimin “Welt Waffen W. Germany, Cal.765 mm, Browning”, me të cilën personi nën Elvis Shkambi, dyshohet se ka kryer ngjarjen.
Pas kontrollit të bërë, armës i është hequr krehëri i saj, ku është konstatuar se arma kishte një fishek në folenë e saj gati për qitje dhe në krehër ishin dhe dy fishekë të tjerë të vendosur.
Në parkingun e Xhamisë së Namazgjasë, është gjetur automjeti i markës “Mercedez Benz”, me traga AA900AA, në pronësi të Gjon Shkambi, ku gjatë këqyrjes dhe kontrollit të këtij automjeti janë gjetur dhe sekuestruar në 31 copë fishekë të kalibrit 9 mm, në dukje fishekë manovër.