Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Olsian Çela: Të veprojmë për të përmirësuar sigurinë e magjistratëve

Këtë të hënë, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, raportoi në Kuvend mbi veprimtarinë e institucionit që ai drejton gjatë vitit 2024, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Një nga çështjet kryesore që Çela ngriti, ishte ajo e sigurisë së njerëzve të drejtësisë, pas ngjarjes së rëndë të fillim tetorit 2025, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit.

“Janë dy elementë, disa lidhen me standardet dhe garancitë që kanë të bëjnë me statusin. Sa i përket godinave, jemi në fazën e projektimit të tyre, por ka një vonesë. U bënë disa vite që e ngre si shqetësim, situata nuk është aspak e mirë”, deklaroi Çela.

Sipas tij, veçanërisht në Tiranë, kushtet e punës për prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore janë bërë të papërballueshme.

“Në Tiranë nuk kemi më hapësira për prokurorët dhe oficerët. Situata është e papërballueshme. Duhet një zgjidhje sa më e shpejt”, theksoi ai.

Duke iu referuar vrasjes së gjyqtarit Kalaja, Çela nënvizoi se kjo tragjedi duhet të shërbejë si nxitje për të vepruar menjëherë në drejtim të përmirësimit të masave të sigurisë.

“Siguria e magjistratëve lidhet me gjendjen e godinave dhe me stafet e sigurisë. Ka shumë vend për përmirësim. Ngjarja e rëndë është një nxitje për të vepruar sa më shpejt. Do të kemi disa kërkesa konkrete për Kuvendin që lidhen me këtë çështje”, përfundoi ai.


Shtuar 27.10.2025 14:59