Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja jehonë në mediat e huaja, shkrimi i CNN për ngjarjen e rëndë në sallën e gjyqit

Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja, u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit nga një person i përfshirë në procesin gjyqësor, ka marrë vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare.

CNN ka raportuar për ngjarjen e paprecedentë, duke theksuar se sulmi ndodhi në një vend që ka ndërmarrë prej vitesh reforma të thella në drejtësi, por që përballet ende me sfida të mëdha në funksionimin e sistemit.

Sipas CNN, vrasja ka ndodhur në një moment kur tensionet lidhur me konfliktet e pronësisë, zvarritjet e proceseve dhe besimi ndaj sistemit gjyqësor janë ende të larta.

Shkrimi nga CNN:

Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës, u qëllua për vdekje të hënën nga një burrë i përfshirë në një gjyq, njoftoi policia shqiptare.

Astrit Kalaja, gjyqtar i njohur në sistemin e drejtësisë, u qëllua brenda sallës së gjyqit nga një i dyshuar 30-vjeçar me inicialet E.Sh. Kalaja ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit, si pasojë e plagëve të marra.

Sipas autoriteteve, autori i armatosur qëlloi edhe dy persona të tjerë të pranishëm në sallë. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia njoftoi se autori u largua me vrap nga vendngjarja, por u arrestua pak orë më vonë, ndërsa iu gjet dhe arma e përdorur në krim – një revole.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar mbi motivin e ngjarjes. Nga të dhënat paraprake të publikuara në faqen e gjykatës, rezulton se çështja kishte lidhje me një konflikt prone.

Ngjarja ka ndodhur në një kontekst ku Shqipëria, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ka ndërmarrë reforma të thella në sistemin gjyqësor që nga viti 2016.

Megjithatë, sistemi vijon të përballet me sfida serioze, përfshirë vonesat shumëvjeçare të mijëra çështjeve, por edhe tensionet e rritura në çështje delikate si ato të pronave.

Vrasja e gjyqtarit brenda sallës së gjyqit, ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe për klimën e tensionuar që vijon të shoqërojë procese të caktuara gjyqësore në vend.


Shtuar 7.10.2025 08:48