Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën e Gjon Shkambit për lirimin nga burgu: Nuk isha në dijeni të veprimeve të nipit tim

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, ka vendosur të mos pranojë kërkesën e Gjon Shkambit për lirimin nga paraburgimi, në lidhje me ngjarjen e rëndë ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy persona të tjerë.

Shkambi kishte apeluar masën e sigurisë, duke pretenduar se nuk ka lidhje me ngjarjen e ndodhur brenda sallës së gjyqit, ku nipi i tij, Elvis Shkambi, qëlloi me armë sapo gjyqtari shpalli vendimin për një çështje pronësie ku xhaxhai i tij ishte palë.

Në kërkesën e dorëzuar në gjykatë, Gjon Shkambi, deklaroi se nuk kishte pasur dijeni për veprimet e nipit të tij, duke u përpjekur të bindte autoritetet për pafajësinë e tij.

Megjithatë, Apeli ka rrëzuar ankimimin, duke lënë në fuqi vendimin për paraburgim.

Ndërkohë, nipi i tij Elvis Shkambi, i cili mbetet gjithashtu në paraburgim, nuk ka apeluar vendimin për të ndryshuar masën e sigurisë.

Në të njëjtën ngjarje mbetën të plagosur edhe Ragip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, të cilët ishin palë e tretë në të njëjtën çështje gjyqësore.