Vrasja e Elis Rroshkodolit/ Policia jep detaje: Një në pranga, tre në kërkim

Policia ka dhënë detaje, në lidhje me atentatin e ndodhur pak ditë më parë në Shkodër, ku mbeti i vrarë Elis Rroshkodoli.

Operacioni, rezultat i punës intensive dhe profesionale hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë dhe me Prokurorinë e Shkodrës.

Zbardhet vrasja e shtetasit E. Rr. (Sh.), kryer më datë 30.08.2024, në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”.

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i implikuar në këtë rast. Punohet intensivisht për kapjen e 3 bashkautorëve të kësaj vrasjeje, të cilët janë identifikuar tashmë nga Policia.

Zbulohet një garazh në territorin e bashkisë Tiranë, që iu shërbente 4 shtetasve, si bazë kriminale për të fshehur automjete të trafikuara, të cilat do të përdoreshin gjatë kryerjes së krimeve.

Sekuestrohen 3 automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës dhe pjesë të automjetit të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).

Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe me Prokurorinë e Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.), kryer më datë 30.08.2024, në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”, u finalizua operacioni policor i koduar “Fjalëkryqi”.

Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 26 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit J. Xh., 31 vjeç, V. Xh., 38-vjeç dhe D. M., 42-vjeç.

Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e shtetasit E. Rr. (Sh.).

Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, u zbulua në territorin e bashkisë Tiranë, një garazh, ku këta 4 shtetas mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit.

Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të dyshuara të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).

Vijojnë intensivisht kërkimet me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 6.09.2024 11:46