Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë shtetit për katër të arrestuarit që u vunë në pranga për moskallëzim krimi në lidhje me vrasjen e dy të rinjve në Manëz.
Seanca gjyqësore u zhvillua këtë të shtunë pa praninë e mediave, për shkak të ngarkesës së gjykatës me çështje të tjera dhe respektimit të sekretit hetimor.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e jashtme të një lokali në Manëz, ku u vranë me armë zjarri 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti.
Pas tragjedis, policia arrestoi Ergi Kadiun, 25 vjeç, Erald Canin 21 vjeç, si dhe vëllezërit Taulant dhe Emirjan Beqja 37 dhe 34 vjeç, të gjithë të akuzuar për mos kallëzim krimi.
Ndërkohë, në kërkim vijon të jetë 30-vjeçari Gëzim Allci, i akuzuar për armëmbajtje pa leje, moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit.
Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari Erald Cani).
Pas konfliktit verbal, shtetasi Daniel Pepa është larguar me automjet nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar Ergi Kadiu dhe nga shtetasi Aranit Kurti.
Gjatë tentativës së tre shtetasve për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali shtetasi Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë.
Në këtë moment shtetasi Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Flori Paluçi, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel Pepa dhe Aranit Kurti. Si pasojë u vranë shtetasit Flori Paluçi dhe Aranit Kurti.
