Vrasja e biznesmenit Mondi Mëhalla/ Merret sërish në pyetje i vëllai: Ja me cilin kishte konflikt…

Nga; Elton Qyno

Aldo Buzhani, vëllai i Mondi Mëhallës, është marrë në pyetje për herë të dytë lidhur me vrasjen e ndodhur më 30 nëntor 2025 në qytetin e Elbasanit.

Buzhani ka dhënë shpjegime para grupit të hetimit lidhur me konfliktet e mundshme që ka pasur vëllai i tij, Mondi.

Mësohet se Buzhani ka treguar se me ortakun e tij, Xhino Ago, që sot vijon të qëndrojë në burg, Mondi Mëhalla, nuk ka pasur asnjë konflikt dhe, për pasojë, e ka përjashtuar nga dyshimet e tij se Ago mund të ketë marrë pjesë.

Për më tepër, Aldo Buzhani dhe motra e tij kanë dorëzuar në Prokurorinë e Elbasanit edhe deklarata noteriale, duke sqaruar pozicionin e ortakut në biznes të Mondi Mëhallës, Xhino Ago.

Buzhani ka pohuar para noterit se:…deklaroj me përgjegjësi morale dhe para autoriteteve se marrëdhënia me Xhino Agon ka qenë dhe është shumë e mirë. Ne e konsiderojmë si vëllain tonë. Kisha dy vëllezër, tani kam një vëlla: Xhinon…”.

Ndërsa motra e viktimës, Brunilda Mëhalla, ka pohuar:

“…Unë, Brunilda Mëhalla, deklaroj se Xhino Ago, ortaku i vëllait tim, nuk ka pasur kurrë konflikte me askënd. Marrëdhënia jonë familjare me të është shumë e mirë. Ai është vëllai ynë. S’kemi asgjë kundër tij…”.

Ndërkohë, Buzhani ka folur për konfliktet që ka pasur vëllai i tij me Marselo Aranin, lidhur me dhënien me qira të disa automjeteve, që më pas, sipas dijenisë së tij, Mondi ka diskutuar për marrjen e dy vilave në Tiranë, por edhe ato rezultuan me probleme.

Hetimet për këtë çështje janë duke vijuar me ripyetjen edhe të disa personave të tjerë, ndërsa të arrestuar për këtë ngjarje të rëndë, aktualisht Prokuroria e Elbasanit mban të izoluar në burg Nevzat alias Nevi Spahon nga Prenjasi, punonjësin e karburantit Kujtim Pisha, si dhe ortakun e Mëhallës, Xhino Agon.

Ndërsa në kërkim vijojnë të jenë elbasanlliu Marselo Arani dhe shoku i këtij të fundit nga Laçi, shtetasi Armando Kola.

Lidhur me këtë çështje, Nevzat Spaho, që dyshohet se ka marrë pjesë direkt në vrasjen e Mondi Mëhallës, nuk e ka pranuar në asnjë moment akuzën, duke pretenduar rrethana të tjera./ Syri.net


Shtuar 2.02.2026 10:28