Gjykata e Apelit në Tiranë caktoi masën e arrestit në burg për Xhino Agon, duke lënë në fuqi vendimin e 5 dhjetorit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan, i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla në fund të nëntorit 2025.
Burimet bëjnë me dije se Apeli ndryshoi vetëm njërën pikë, në lidhje me vlerësimin e arrestit në flagrancë për personin në hetim, duke e shpallur të paligjshëm pasi Ago nuk është prangosur në flagrancë.
Ago, ish ortak me Mëhallën akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e tij dhe ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me paramendim.
NGJARJA
Mondi Mëhalla u ekzekutua me disa plumba mbrëmjen e 30 nëntorit sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil”, dhe hyri në makinë. Ai u qëllua në kokë me 2 plumba pistolete, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Njëri nga autorët doli nga makina “Audi”, u afrua dhe qëlloi. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në fshatin Mirakë, brenda të cilit u gjet e djegur pistoletën Beretta, të përdorur në krim.
TË ARRESTUARIT
Në total për këtë ngjarje janë arresatuar tre persona. Ish ortaku Xhino Ago akuzohet për vrasje me paramendim, roja e karburantit ku ndodhi ngjarja, që gjithashtu ra në pranga akuzohet për moskallëzim krimi. I treti i arrestuar, 29-vjeçari Nevzat Spaho përballet me akuzën e vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
