Vrasja e biznesmenit Edmond Mëhalla/ Gjykata lë në burg dy të akuzuarit

Ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, për dy të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla.

Vendimi është dhënë nga kryetarja e Gjykatës, gjyqtarja Elis Dine, pas një seance të zhvilluar në rrethana të forta sigurie dhe me dyer të mbyllura.

Prokuroria e Elbasanit, përmes prokurorit të çështjes Gjergji Ceka, ka paraqitur kërkesën zyrtare me objekt “vleftësim arresti në flagrancë dhe caktim mase sigurimi” për dy të ndaluarit e parë, Xhino Ago dhe Kujtim Pisha.

Kërkesa ishte regjistruar që ditën e enjte, ndërsa sot, nga ora 10:00, u shqyrtua në sallën e gjyqit nën praninë e forcave të shumta të sigurisë.

Ndërkohë, Prokuroria ka depozituar një kërkesë të veçantë për masë sigurie edhe për të arrestuarin e tretë, Nevzat Spaho, i ndaluar në Prrenjas dhe i dyshuar si ekzekutori i biznesmenit. Seanca për të pritet të mbahet gjatë fundjavës.

Hetimet për zbardhjen e plotë të organizimit dhe ekzekutimit të vrasjes së Mëhallës vijojnë me intensitet, ndërsa priten zhvillime të tjera në dosjen që ka tronditur opinionin publik të Elbasanit.


Shtuar 5.12.2025 13:17