Vrasja e adoleshentit nga policia, OKB thirrje Francës: Ka ardhur koha të merreni me problemet e racizmit

Kombet e Bashkuara i bënë thirrje sot Francës që të merret seriozisht me problemet e racizmit dhe diskriminimit racor në zbatimin e ligjit, tre ditë pasi një oficer policie qëlloi dhe vrau një të ri.

“Ka ardhur koha që vendi të marrë seriozisht problemet e thella të racizmit dhe diskriminimit racor midis forcave të zbatimit të ligjit”, tha Ravina Samdasani, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, gjatë një konference të rregullt për shtyp nga Gjeneva.

17-vjeçari Nael u vra të martën nga një oficer policie gjatë një kontrolli trafiku pranë Parisit. Pas tre netësh trazirash në pothuajse të gjithë Francën, “u bëjmë thirrje autoriteteve të sigurojnë që përdorimi i forcës nga policia në kuadër të përballjes me elementë të dhunshëm gjatë demonstratave të bëhet gjithmonë duke respektuar parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë, proporcionalitetit, mosdiskriminimit, i maturisë dhe përgjegjësisë”, theksoi Samdasani.

Ajo shprehu shqetësimin e saj për dhunën që shpërtheu pas vdekjes së adoleshentit.

“Ne e kuptojmë se ka pasur shumë grabitje dhe incidente të dhunshme nga disa elementë që po përfitojnë nga protestat për këtë qëllim dhe se një numër i madh policësh janë lënduar”, tha ajo.

Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut nënvizoi se pikërisht për këtë arsye “u kërkojmë të gjitha autoriteteve të sigurojnë që, edhe nëse ka elementë të qartë të dhunshëm në demonstrata, është thelbësore që policia të respektojë në çdo kohë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmëria e proporcionalitetit, mosdiskriminimit, maturisë dhe përgjegjësisë”.

Forcat e zbatimit të ligjit në Francë bënë 667 arrestime nga e enjtja deri të premten, ndërsa 249 policë dhe xhandarë u plagosën gjatë së njëjtës periudhë, sipas shifrave zyrtare.


Shtuar 30.06.2023 16:19