Vrasja e 61-vjeçarit në Shkodër, zbulohet shkaku i konfliktit mes viktimës dhe autorit

Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Abat të njësisë administrative Shalë, mbrëmjen e sotme, ku një 61-vjeçar u vra me armë zjarri. Viktima është shtetasi Piro Prroni, banues prej vitesh në Tiranë.

Raportohet se autor i ngjarjes është Ndoc Maçaj, bashkëfshatar i viktimës.

Sipas burimeve paraprake, viktima dhe autori i dyshuar ishin kushërinj mes tyre dhe ngjarja dyshohet se erdhi si pasojë e një konflikti të hershëm.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se mes autorit të dyshuar dhe viktimës ka pasur një konflikt të hershëm që zgjaste prej më shumë se 10 vitesh.

Shkak për rikthimin e konfliktit dyshohet të jetë procesi i regjistrimit të tokave, i cili ka nisur kohët e fundit në zonën e Shalës dhe në disa njësi administrative të Shkodrës. Kjo ka rikthyer tensionet mes palëve për pronësinë e parcelave të tokës.

Forca të shumta policie janë nisur nga Shkodra drejt zonës së thellë malore të Shalës për të bërë të mundur kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të dokumentuar çdo provë dhe për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar.


Shtuar 28.08.2025 22:00