Merr një tjetër dinamikë vrasja e mbrëmjes së sotme në fshatin Gjormë të Selenicës. Viktima Dalan Alliaj sipas njoftimit zyrtar të policisë është qëlluar për vdekje me 6 plumba nga kushëriri i tij Bertil Alliaj.
Viktima ishte nga Levani i Fierit ku jetonte dhe kishte një biznes pjesë këmbimi për automjetete. Siç u raportua më herët ai ishte në Gjormë, për vizitë te xhaxhai i tij.
Dhe u mësua se ishte qëlluar për vdekje nga një person teksa po hynte në derën e shtëpisë së xhaxhait sot në mbrëmje. Por tashmë policia sqaron se autori i ngjarjes është djali i xhaxhait, Bertil Alliaj.
Nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Por, siç e kemi bërë me dije më parë, Bertil Alliaj është i përfshirë në ngjarjen e masakrës së Çoles.
Autori pas ngjarjes është arratisur në zonën malore përreth dhe po bëhen përpjekje për kapjen e tij.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak në vijim
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët, nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit B. A., i cili dyshohet se në fshatin Gjorm ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A.
Pas kryerjes së krimit, shtetasi B. A. është larguar drejt zonës malore përreth, ku dyshohet se fshihet.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.



