Vrasja e 30-vjeçarit në Vlorë/ Zbardhen dëshmitë e gruas dhe xhaxhait të Kristian Markut: Përdorte vetëm makina me qira…

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati ndaj 30-vjeçarit Kristian Marku, i cili u ekzekutua me armë zjarri në autostradën Fier-Vlorë, nga persona ende të paidentifikuar.

Xhaxhai i viktimës, ka thënë se i riu jetonte duke u ruajtur dhe lëvizte vetëm kur ndihej i sigurt. Më tej, ai është shprehur se i vetmi konflikt që familja e tyre kishte ishte me familjen Reçi.

Ndërkohë, sipas deklaratave të gruas së tij, ata qëndronin në Tiranë në apartamente me qira ditore. Për të lëvizur, ai përdorte një makinë me qira, të cilën e kishte marrë fillimisht për tri ditë dhe më pas e kishte shtyrë për dhjetë ditë të tjera, ndërsa raportohet se mjeti nuk ishte pajisur me sistem GPS, sipas gazetares Klodiana Lala. Të hënën, ditën e vrasjes, Kristian Marku kishte njoftuar bashkëshorten se do të udhëtonte drejt Vlorës, por pa treguar nëse do takonte dikë apo jo.

Policia ka dyshime se i riu mund të jetë nxjerrë në pritë. Policia është fokusuar edhe te sekuestrimi dhe këqyrja e kamerave të sigurisë të të gjithë itinerarit të rrugës që ka ndjekur i riu, pasi dyshohet që është ndjekur dhe vëzhguar nga autorët.

Autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë tre persona, i kanë zënë pritë në momentin që 30-vjeçari ka kaluar mbi nënkalimin e Novoselës.

Ata kanë dalë nga nënkalimi dhe i janë afruar makinës së viktimës tip Volkswagen Passat, në krahun e pasagjerit. Pas kësaj, ata kanë qëlluar në drejtim të tij me më shumë se 13 herë me armë pistoletë ose automatik të vogël tip Shars.

Tre nga plumbat kanë kapur në turp 30-vjeçarin, ndërsa makina që udhëtonte ka ecur rreth 400 metra nga momenti që u qëllua dhe është përplasur disa herë me trafikndarësin, deri sa ka ndaluar. Pas atentatit, është gjetur e shkrumbuar makina e autorëve jo më shumë se 1 km nga vendngjarja.

Bëhet po ashtu me dije, se targat e automjetit të atentatorëve rezultojnë të vjedhura disa ditë më parë, po në qytetin e Vlorës dhe i përkasin një oficeri policie.

Viktima ishte me precedent penal për “Vrasje me dashje ne bashkëpunim mbetur ne tentative” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.

30-vjeçari, Kristian (Marku) Bardhi është nipi i Martin Bardhit, i njohur edhe si Marjan Marku. Në vitin 2023, Marjan dhe Kristian Marku, u përfshinë në një atentat me armë zjarri në qytetin e Rrëshenit ndaj Sajmir Reçit, nipit të Kastriot Reçit. Pista kryesore e hetimeve është hakmarrja për shkak të konflikteve të dy familjeve në Rrëshen.


Shtuar 15.01.2025 15:44