Vrasja e 25-vjeçarit Kevin Muharremi në Itali, nën hetim edhe një person tjetër/ Zbardhet dëshmia në polici dhe akuza që rëndon ndaj tij

Një tjetër person është nën hetim për vrasjen me armë zjarri të 25-vjeçarit shqiptar, Kevin Muharremi, pak ditë më parë në Montecalvoli të Italisë.

Ndërsa vrasësi i dyshuar, 20-vjeçari shqiptar Renato Xyke, mbetet në burg, një mik që ishte në makinë me të në kohën e të shtënave ka dëshmuar në polici.

Dëshmia

I riu ka pranuar se e kishte parë vrasjen nga sedilja e pasagjerit të Range Rover Evoque të drejtuar nga Xyke, por deklaroi se nuk ishte aspak i vetëdijshëm se shoku i tij kishte një armë, një Beretta gjysmë-automatike të kalibrit 7.65, e mbajtur në mënyrë të paligjshme, e gjetur më vonë pranë shtëpisë së të arrestuarit në Montecalvoli, dhe se ai kishte ndërmend ta përdorte atë kundër viktimës. 18-vjeçari është aktualisht nën hetim për bashkëpunim në vrasje me dashje. Detaji tjetër që ka dalë në dritë është se në sediljen e pasme të SUV-së ndodhej edhe një i ri i tretë, një i mitur.

Detajet e ngjarjes

Tre persona ishin në njërën makinë dhe tre në tjetrën. Automjeti Fiat Doblò i bardhë, ku ndodhej edhe Kevin Muharremi, mbërritit në Viale della Repubblica për t’u takuar ose për të pritur “rivalët” e tyre, me të cilët mund të kenë organizuar një takim të mirëfilltë për të zgjidhur hesapet pas debatit që kishte ndodhur disa orë më parë në pub-in Capanne, ku të dy grupet kishin kaluar natën e së premtes.

Debati me sa duket shpërtheu brenda pub-it për çështje të parëndësishme, pastaj vazhdoi në parking. Pika pa kthim ishte ajo që dukej të kishte qenë një përplasje midis dy makinave, por në realitet, doli të ishte diçka krejtësisht tjetër. Ndërsa kthehej mbrapsht, vrasësi i dyshuar e goditi qëllimisht viktimën, një zhvillim i mëtejshëm në një grindje që përfundoi në tragjedi me vdekjen e Muharremit, i cili u godit nga të paktën tre nga pesë të shtënat e qëlluara ndaj tij.

Renato Xyke mbetet në burg

Gjykata konfirmoi arrestimin e 20-vjeçarit Renato Xyke. Çështja tani po i dorëzohet zyrës së prokurorit të Pizës, e cila filloi një hetim të plotë të shtunën, nga këqyrja e kamerave të sigurisë lokale deri te intervistimi i kujtdo që mund të ketë informacione, duke përfshirë kontrollin e të dhënave telefonike midis të rinjve të përfshirë, gjë që ka çuar tashmë në sekuestrimin e armës dhe marrjen e disa provave. Pritet të merret në pyetje 20 vjeçari i arrestuar. Ai përballet me akuza për vrasje me dashje.

 


Shtuar 18.02.2026 10:26