Të martën, policia franceze qëlloi për vdekje një 17-vjeçar, i cili nuk ndaloi për një kontroll trafiku.
Adoleshenti, i quajtur Nahel M, u qëllua teksa po largohej dhe u përplas menjëherë më pas.
Sipas mediave franceze, fillimisht policia it ha adoleshentit që të ndalonte, por në pamje shihet se si oficeri i drejton armën shoferit përmes dritares dhe e qëllon.
Që nga vdekja e Nahelit, në Francë kanë shpërthyer protestat.
Pjesa më e madhe e zemërimit të ndjerë nga demonstruesit në periferinë e Parisit, Nanterre, nga ishte Nahel, ishte drejtuar ndaj policisë.
Ministri i Brendshëm i Francës ka thënë se gjatë orëve të fundit 150 persona janë arrestuar.
Gérald Darmanin tha në një postim në Twitter se bashkitë, shkollat dhe komisariatet e policisë gjatë natës ishin në shënjestër të “dhunës së padurueshme” në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, Presidenti Emmanuel Macron dënoi aktin dhe e quajti “të shëmtuar”.
Duke folur me gazetarët në Marsejë të martën, ai tha se “asgjë nuk justifikon vdekjen e një të riu”.
“Dëshiroj të shpreh ndjenjat e të gjithë kombit për atë që ka ndodhur dhe t’i tregoj familjes së tij solidaritetin tonë dhe përzemërsinë e kombit.”
“Ne kemi një adoleshent që është vrarë. Është e pashpjegueshme, e pafalshme,” tha ai, duke shtuar se çështja u referua menjëherë në gjykata, ku ai shpresonte që drejtësia “do ta bënte punën e saj shpejt”./Albeu,com.