Pas një seance maratonë, në Kuvendin e Shqipërisë u votua amnistia penale.
PS dhe Rithemelimi finalizuan dakordësinë e arritur disa ditë më parë, me 110 vota pro dhe një kundër.
Amendamenti i Gazment Bardhit u miratua me 111 vota pro dhe 1 abstenim, ndërkaq, në Kuvend u rrëzua amendamenti i Lulzim Bashës.
Në amendamentet e dorëzuara në Kuvend, parashikohet falja e të gjithë protesuesve të opozitës, përjashtuar ata që kanë goditur punonjësit e policisë.
Por edhe ata që nuk fitojnë lirinë, do të përfitojnë ulje dënimi, më të madhe sesa në variantin e parë.
Opozita propozoi që nga vitet e dënimit, prej kësaj amnistie, t’u zbriten dy vite nga dënimi i mbetur për gratë dhe 1 vit e gjysmë për burrat.
Prej amnistisë pritet të përfitojnë rreth 700 të burgosur dhe rreth 2500 persona në shërbim prove.
Veprat penale që përfitojnë ulje dënimi nga kjo Amnisti:
Neni 244, Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 245, Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë
Neni 245/1, Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 257/a, Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë…
Neni 258, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
Neni 259, Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 259/a, Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë,
Neni 260, Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
Neni 312, Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit
Neni 319 Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë dhe pikat pasuese të tij.