Vota e diasporës/ Jozefina Topalli: KQZ t’i kërkojë llogari DHL-së për zarfet e votimit të emigrantëve të Greqisë, dyshojmë se po kontrollohet nga njerëz të pushtetit

Këtë të mërkurë, drejtuesja politike për Diasporën nga radhët e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, në një deklaratë për mediat, shprehet se ka të dhëna se emigrantët shqiptarë të Greqisë, kanë marrë zarfet nga kompania postare DHL pa mjete identifikimi, fakt që cënon procesin zgjedhor.

Për këtë arsye, Topalli i bën thirrje KQZ-së dhe SPAK-ut, të monitorojnë situatën në Greqi.

“Ajo që po ndodh në Greqi është rast i veçuar, kapitull totalisht i një krimi zgjedhor dhe manipulim politik i votës. Shkuarja për të marrë apo të dorëzuar zarfin pa identifikim e bën votën të pavlefshme…KQZ ti kërkojë llogari DHL-së, kemi dyshime se po kontrollohet nga njerëz të pushtetit. I kërkojmë organeve ligj zbatuese përfshirë SPAK që të shqyrtojë rastin e Greqisë”, u shpreh Jozefina Topalli.