Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmbylli turin e saj ballkanik me një vizitë në Shkup, ku theksoi mbështetjen e Brukselit për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Mund të mbështeteni tek ne. Hapi tjetër dhe i vetëm para fillimit të negociatave është i qartë. Ju duhet ta bëni ndryshimin e dakordësuar kushtetues. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati,” shkroi ajo në rrjetin X pas takimeve me liderët e vendit.
Pas takimit, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi vendosmërinë e qeverisë për të përshpejtuar integrimin evropian përmes rezultateve konkrete dhe përmbushjes së standardeve evropiane.
“Maqedonia e Veriut pret nga Bashkimi Evropian përkushtim të qartë dhe konkret, si konfirmim i perspektivës evropiane dhe mbështetje për qytetarët, të cilët me dekada mbeten të përkushtuar ndaj vlerave evropiane,” tha Mickoski.
Ai tha se bisedimet u përqendruan edhe në perspektivën evropiane të vendit, përparimin e reformave, bashkëpunimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe transformimin digjital.
Gjatë vizitës, Von der Leyen u takua edhe me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, kryetarin e Parlamentit Afrim Gashi dhe ministrin e Jashtëm Timço Mucunski.