Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur sot në Kosovë, në kuadër të një vizite zyrtare në rajon.
Në një postim në platformën “X” pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ajo theksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.
“Ne mbetemi të përkushtuar për një të ardhme ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit Evropian,” shkroi von der Leyen.
Ajo theksoi se për të ecur përpara drejt integrimit, është thelbësore që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të forta dhe funksionale, të punojë për uljen e tensioneve të brendshme dhe të përmbyllë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor, një iniciativë e rëndësishme e BE-së për zhvillimin dhe konvergjencën rajonale.
Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027, prej tyre dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë janë në formë kredie me këste të favorshme.
Kosova nuk ka përfituar nga ky Plan, pasi për shkak të mungesës së krijimit të institucioneve deri më tani nuk janë miratuar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.