Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka zhvilluar këtë të enjte një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
Ka qenë vetë udhëheqësi ukrainas ai i cili përmes një postimi zyrtar ka treguar detaje sa i përket kësaj telefonate të zhvilluar me kryeministrin Edi Rama dhe njëkohësisht mikun e tij shqiptar.
Presidenti pohon se vendosi në dijeni Ramën lidhur me situatën e luftës dhe biseduan sa i përket takimeve që do të mbahen me partnerët ndërkombëtare me qëllim ndalimin e agresionit rus.
“Pata një bisedë të mirë me Kryeministrin e Shqipërisë @ediramaal. E informova shkurtimisht për situatën në front dhe në diplomaci. Po punojmë me të gjithë partnerët tanë për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të ndaluar vrasjet sa më shpejt të jetë e mundur.
Diskutuam përgatitjet për takime në vende të mëdha ndërkombëtare. Këto do të jenë formate të veçanta angazhimi me partnerët. Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur popullin tonë”, shkruan Zelensky, teksa këtë postim e mbyll me një falenderim për kryeministrin Edi Rama si dhe për Shqipërinë, për qëndrimin dhe mbështetjen që i kanë ofruar Ukrainës që prej fillimit.
“Faleminderit, Edi, faleminderit, Shqipëri, për mbështetjen tuaj të palëkundur për Ukrainën”, shkruan presidenti ndër të tjera.
Ashtu si dhe njoftuam më herët, përgjatë ditës së sotme, presidenti ukrainas ka zhvilluar disa telefonata me partnerët e tij evropianë për të planifikuar hapat e mëtejshme lidhur me situatën në të cilën vendi i tij ndodhet si pasojë e sulmeve të Rusisë.
Këto telefonata të Zelenskyt, kanë ardhur pas lëvizjeve të Donald Trump i cili një ditë më parë shprehu dëshirën e tij për të takuar presidentin rus dhe atë ukrainas.
Sa i përket takimit të Trump me Zelenskyt ende nuk kemi një konfirmim zyrtar, ndërkohë që nga ana tjetër, Rusia ka konfirmuar takimin e presidentit të tyre me homologun amerikan.
Dy presidentët, ai i SHBA-së dhe ai i Rusisë do të takohen në ditët në vijim. Sipas mediave të huaja mësohet se Vladimir Putin dhe Donald Trump kanë rënë dakord që të zhvillojnë një takim dy palësh për të diskutuar lidhur me situatën e luftës në Ukrainë dhe mundësinë për një paqe mes dy vendeve.
Lidhur me këtë takim të Putin dhe Trump nuk ka më tepër detaje dhe janë dy qeveritë ato të cilat po punojnë për caktimin e orarit, pasi vendi i takimit është dakordësuar dhe pritet të bëhet publike në orët në vijim.
Ka qenë këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, ai i cili bëri me dije se palët kanë filluar tanimë të përpunojnë detajet e takimit.
Ai pohoi se i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, diskutoi me Vladimir Putinin , me të cilin u takua dje, mundësinë e një takimi trepalësh midis Putinit, Trumpit dhe Volodymyr Zelenskyt.
“Pas propozimit të palës amerikane, u ra dakord në parim që të mbahet një samit dypalësh në ditët në vijim, domethënë një takim midis Presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trumpit”, tha Ushakov , duke shtuar: “Tani po fillojmë përgatitje specifike së bashku me kolegët tanë amerikanë”.