Vodhën një automjet dhe grabitën dy dyqane, arrestohen dy të miturit në Tiranë

Policia e Tiranës, ka finalizuar dy operacione kundër vjedhjeve, duke ndaluar disa persona të dyshuar për akte kriminale.

Gjatë operacionit të koduar “Duo”, finalizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, u ndaluan dy shtetas të mitur, 14 dhe 15-vjeç, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer katër vjedhje, duke përfshirë një motomjet në Astir, dy dyqane dhe një send brenda një automjeti, gjatë muajve gusht e shtator.

Ndërsa në kuadër të operacionit të koduar “Recidivisti”, Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, arrestoi shtetasin E. R., 26-vjeç, i dyshuar si autori i pesë vjedhjeve në subjekte të ndryshme, ku janë përfshirë portofola, aparate celularë dhe shuma parash.


Shtuar 14.09.2025 13:45