Policia ka vënë në pranga dy të rinj, Ervis Halimi dhe Musa Gudo, në Mallakastër të cilët kanë vjedhur me dhunë dhe nën kërcënimin e armës banesën e një të moshuari. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë. Ndërsa i moshuari, Çaush Shehaj, ndodhet në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Njoftimi i policisë:
Mallakastër
Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale të Policisë, zbardhet vjedhja me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, e ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Klos, Mallakastër.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Klosi”.
Vodhën me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, një shumë parash, në banesën e një të moshuari, arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar.
Sekuestrohet arma e zjarrit dhe automjeti që autorët përdorën gjatë vjedhjes.
Rreth orës 08:00 të datës 19.11.2022 është njoftuar salla operative se në orën 02:30, në fshatin Klos, Mallakastër, kishte ndodhur një vjedhje me dhunë, në një banesë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën për zbardhen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i personave që, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën me dhunë një shumë parash, shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Bazuar në provat e grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në ndërveprim me të gjitha strukturat e DVP Fier dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Klosi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. H., 22 vjeç, banues në Fier dhe M. G., 28 vjeç, banues në Portëz, Fier.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzimi i krimit”./albeu.com