Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë në listën e aplikuesve nga Ballkani Perëndimor për azil në një vend të Bashkimit Evropian, për tre muajt e parë të vitit 2024.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA) numri i aplikuesve nga këto dy vende është tejet i lartë krahasuar me vendet tjera fqinje si Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi.
Sipas raportit të EUAA-së në muajin mars nga shtetasit shqiptarë u paraqitën në vendet e Bashkimit Europian 624 aplikime për azil, ndërsa nga shtetasit e Kosovës 513, nga Maqedonia e Veriut 340, nga Serbia 272, Bosnja 109 dhe Mali i Zi 37.
Në muajin shkurt të vitit 2024 ishin regjistruar nga shtetasit shqiptarë 744 aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa në janar të këtij viti, u regjistruan 648 aplikime.
Nga rreth 2,016 aplikime të shtetasve shqiptarë nga janari në mars të këtij viti, një pjesë e tyre është shqyrtuar, ndërkohë që 2,752 aplikime mbeten ende në pritje.
Rastet e shqyrtuara të shqiptarëve kanë numrin më të ulët të njohjeve të azilit në vendet e Bashkimit Evropian që nuk kalon as 1% të kërkesave.
Ndërkohë sipas të dhënave të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin përgjatë vitit 2023, nga shtetasit shqiptarë u paraqitën gjithsej 9,145 aplikime në një nga vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të EUAA-së, interesi më i lartë i shtetasve shqiptarë për aplikime për azil si për vitin e shkuar edhe për tre muajt e parë të këtij viti kështë në vende si Franca, Italia dhe Gjermania.
Përveç Bashkimit Evropian, prirja e shqiptaërve për të kërkuar azil gjatë viteve 2022 dhe 2023 ishte edhe në Britani të Madhe, ku vlerësohet se 16 mijë deri në 20 mijë kërkesa janë në pritje për t`u shqyrtuar.
Ndërkohë këtë vit nurmi i shqiptarëve që kanë hyrë në mënyrë të parregullt në Angli përmes kanalit të la Manshit, sipas autoriteteve britanike është në shifra të papërfillshme./VOA