VOA: Ismail Kadare dhe qyteti i lindjes Gjirokastra

Në qytetin e lindjes së Ismail Kadaresë, Gjirokastër, banorët shprehën hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të njohur shqiptar. Në shtëpinë ku lindi zoti Kadare, që tani është kthyer në muze, vizitorët thanë se lajmi ishte shokues, por vepra e shkrimtarit të shquar mbetet për t`u përcjellë nga të gjithë brezat. Bashkëkohës të Kadaresë thonë se Gjirokastra mori famë të përbotshme prej krijimtarisë së Kadaresë, ashtu si edhe shkrimtari mori shumë nga qyteti i gurtë ku lindi dhe kaloi fëmijërinë.

Në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit të shquar Ismail Kadare flamuri kombëtar u përkul, ndërsa banorët e Gjirokastrës e pritën të shokur lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit.

Thanas Dino një mik i hershëm i Ismail Kadresë tha se lajmi ishte i papritur. “Ndërsa Kadare po bëhej gati të shkonte në shtëpinë verore për pushime morëm lajmin e hidhur”, tha Dino

Dino tha se “Ismail Kadare ishte një njeri që të jepte ekuilibër. Kadare kishte një dashuri të brendshme të thellë dhe interesohej shumë për njerëzit, pavarësisht se ishte krijuar një perceptim se ai ishte indiferent”, tha zoti Dino.

“Po të ishe me Ismailin ekuilibroheshe. Mua më dukej se ishte një njeri që i jepte ekuilibër tërë shoqërisë, gjithë vendit. Figurat e mëdha janë si orientimi nga malet, si ato Farat në det që orientojnë lundërtarët.”

Zoti Dino thotë më tej se Gjirokastra dhe Kadare janë të lidhur pazgjidhmërisht.

“Ismaili është një shkrimtar i këtij formati , i këtij lloji se është nga Gjirokastra. Shiko dimensionet e Gjriokastrës, një qytet i dendur dhe i ngjeshur dhe i lartë. Mendja e tij është një Gjirokastër e vogël dhe vepra e tij është kështu. Në qoftë se ai do ishte nga një qytet tjetër do bënte një letërsi tjetër. Vepra e Kadaresë është pjellë e këtij qyteti, fat i madh”.

Vepra letrare e Kadaresë tani do marrë një peshë edhe më të madhe , thotë zoti Dino.

“Është një humbje shumë e madhe, një ditë që mendonim se nuk do vinte jo unë dhe njërëzit e letërssië por vetë kombi shqiptar mendonte që s`do vinte kjo ditë. Por tani kaq fuqi kemi dhe mendoj se vepra e tij do marrë një peshë më të madhe, tani do kërkohet më shumë ai dhe do orientohemi më shumë peej tij. Ky është nderimi më i madh që mund t`i bëhet nëj shkrimtari dhe një figure të madhe”.

Ndërsa Cezar Kotoni thotë se që kur ishte i vogël lexonte me endje veprat e Kadaresë. Cezari që ka pasur takime të shpeshta me shkrimarin thotë se Kadare interesohej gjithmonë për gjërat e çuditshme të Gjirokastrës. Në shtëpinë e lindjes që tani është kthyer në muze vizitorët e pritën sot të shokuar lajmin thotë Bruno Pjetri, udhërrëfyes.

Dy turistë spanjollë tek vizitonin shtëpinë thanë se kanë lexuar disa nga veprat e Kadaresë. “Ai ishte një shkrimtar i madh dhe po lë pas një vepër të madhe. E mësuam nga fqinja e shtëpisë këtu që Kadare sot u nda nga jeta, jemi shumë të mërzitur”.

Engjëll Serjani gazetar thotë se Gjirokastra ka pjesën vet të çmuar në veprat e Kadaresë që nga romani “Kronikë në gur” dhe deri tek romani më i fundit “Darka e gabuar”.

“Kadareja i dha një emër të madh Gjiroakstrës jo vetëm në hapësirat shqiptare por në të gjithë botën me rreth mbi 50 përkthime të veprave të tij, pjesën më të madhe të të cilave me ngjare dhe episode që vijnë nga ky qytet i veçantë”, thotë zoti Serjani.

Në shtëpinë e shkrimtarit erdhi sot edhe mjeshtri i polifonisë gjirokastrite Roland Cenko për të përcjellë motivet e dhimbjes por edhe fjalët e zemrës për shkrimtarin e shquar. Kadare ia dhuroi shtëpinë lindjes qyteti të gurtë gati 30 vite më parë dhe ajo pret tani me mijëra vizitorë. Në një nga vizitat e tij atje në odanë e shtëpisë ku lindi, Kadare tha se ulej në një stol të vogël dhe shkruante, tek një dritë e bukur hynte nga dritarja…/ VOA


Shtuar 1.07.2024 21:47