VOA: Industria fasone në Shqipëri, në vështirësi për shkak të zhvlerësimit të euros

Në Shqipëri, industria fason e tekstileve dhe këpucëve, që punon me material porositësi, kryesisht për tregun europian dhe ku punojnë më shumë se 70 mijë punëtorë, po përballet me situatën më të vështirë të 20 viteve të fundit për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të monedhës europiane kundrejt lekut shqiptar.

“Është ndër situatat më të vështira ekonomike që po kalon sektori ynë. Një nga arsyet kryesore është zhvlerësimi i euros. Fakti është që ne punojmë 100 për qind për eksport dhe, në këto kushte, shitjet tona janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë. Rënia e euros është rreth 15-20 për qind”, thotë Edi Teli, pronar i ndërmarrjes “Moda Teli”.

Për ekonomistin e njohur Edi Teli, pronar i ndërmarrjes “Moda Teli”, arsyet e zhvlerësimit kaq të madh të euros kundrejt lekut janë, mes të tjerash, ndërtimet e shumta, turizmi, ekonomia joformale, por edhe veprimtaria e jashtëligjshme e drogës.

Ndërsa për Gjergj Leqejzën, administrator i ndërmarrjes “Shqipëria Trikot”, një nga më të mëdhatë e sektorit fason në Shqipëri, që punon për kompaninë e njohur italiane “Cotonella”, humbjet e kësaj ndërmarrje nga zhvlerësimi i euros janë të mëdha.

“Duke marrë për bazë këtë shifër, me një xhiro ekonomike prej 4 deri në 4.5 milion euro në vit, 15 për qind i takon rreth 600 mijë euro në vit humbje e pastër vetëm për efekt të euros në krahasim me lekun”.

Në këto kushte, thotë administratori Leqejza, kompania italiane “Cotonella” po mendon transferimin gradual nga Shqipëria drejt Uzbekistanit, ku, thotë ai, ka politika shumë favorizuese për këtë industri.

Ndaj, shton ai, është e nevojshme që shteti të marrë masa të shpejta për të mbështetur industrinë fason përmes politikave lehtësuese për barrën e taksave, ristrukturimin e borxheve apo kredive, duke bërë rolin e garantit tek bankat apo përmes nismave për subvencione me qëllim që biznesi fason ta kalojë këtë situatë të vështirë.

“Unë mendoj që shteti duhet ta vlerësojë këtë sektor të fasonit, konkretisht tekstil-këpucë, që, nëse unë nuk gaboj, zë 28-30 % të eksporteve në rang vendi dhe kjo është një shifër e konsiderueshme dhe e rëndësishme për buxhetin e shtetit”.

Sipas Institutit të Statistikave, eksportet e grupit tekstil-këpucë në 7 mujorin e këtij viti pësuan rënie me 1.8 për qind, duke dëshmuar situatën e vështirë me të cilën po përballet ky sektor.

Sipas ekonomistit Edi Teli, shteti ka ndërhyrë në lehtësimin e procedurave dhe afateve për ribursimin e TVSH-së, në shlyerjen e këstit të fitimit dhe kompensimin e kontributeve për sigurimet shoqërore për pagat minimale, por, shton ai, kjo mbulon vetëm 10 për qind të humbjes qe ka pësuar biznesi fason.

Në këtë situatë, kërkohet një ndërhyrje më energjike nga shteti dhe bankat.

“Çdo zgjatje e kësaj krize, po e quaj unë, do jetë në dëm të ekonomisë, por edhe për thithjen e investimeve të huaja, sepse do të humbasë interesi i investitorëve të huaj, do ndikojë në krijimin e një klime jo të besueshme në biznes si dhe zbehjen e madhe të iniciativës së individëve për të bërë biznes në Shqipëri”.

Për situatën e krijuar ka reaguar shoqata që përfaqëson bizneset e prodhimit të tekstileve dhe këpucëve dhe shoqata e eksportuesve duke kërkuar që institucionet të shikojnë mundësinë e krijimit të politikave lehtësuese për të balancuar situatën në industrinë fason ku, vitin e kaluar, sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat neto nga shërbimet e punës me porosi arritën vlerën e 625 milionë eurove./voa


Shtuar 20.09.2023 23:10