“VMRO-DPMNE nuk merr pjesë në takime ku diskutohen ndryshime kushtetuese”, Mickoski i përgjigjet Kovaçevskit

Kryetari i partisë opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi sot se do të merrte pjesë në një takim liderësh në të cilin do të debatohej për çështjet themelore që prekin qytetarët, përfshi krizën ekonomike dhe atë energjetike.

Ndërkohë sa u përket ndryshimeve kushtetuese ri-përsëriti qëndrimin e partisë së tij, se nuk do ti mbështes këto ndryshime kushtetuese dhe nuk do të merr pjesë në takim liderësh ku do të debatohet në këtë temë.

“Ftesë nuk kemi marrë, nuk e dimë formatin e takimit të liderëve, nuk i dimë temat dhe përmbajtjet për të cilat do të debatohej, por këshilla ime deri tek Qeveria dhe Kovaçevski është që të bisedojmë, derisa do të realizohet ai takim liderësh për atë që paraqet problem të madh për qytetarët a ajo është jeta e rëndë, gjendja ekonomike e qytetarëve, pagat e ulëta, pensionet e ulëta, inflacioni i lartë, faturat e larta të cilat i paguajnë qytetarët, kriza energjetike të cilën me uljen e temperaturave do ta ndiejmë të gjithë. Këto janë ato problemet kyçe të cilat janë aktuale dhe si politikan të përgjegjshëm duhet që të debatojmë dhe të gjejmë zgjidhje për këto probleme. Në rast se dikush mendon që do të imponoj tema të cilat polarizojnë, siç janë ndryshimet kushtetuese dhe se VMRO-DPMNE-ja do të ulet në atë takim liderësh, dhe tani ne do të flasim për diçka që tanimë është e njohur në opinion atëherë gënjehen, sepse qëndrimin e VMRO-DPMNE-së opinioni e di, se në këto rrethana ndryshime kushtetuese nuk do të ketë, kjo është temë e cila përçan dhe nuk bashkon, dhe nuk do ti zgjidh problemet e qytetarëve”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski sot do t’u dërgojë ftesë partive politike parlamentare për të mbajtur një takim në të cilin do të diskutohet për të ardhmen evropiane të vendit. Takimi është planifikuar të mbahet më 7 nëntor në ambjentet e Kuvendit si dhe do të diskutohet për vendimet që duhet të merren në periudhën e ardhshme me një konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.

Shtuar 2.11.2022 17:44