Strukturat e policisë së Vlorës liruan hapësirë publike tek Uji i Ftohtë në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.
Policia procedoi penalisht administratorin e subjektit që kishte zënë këtë hapësirë duke vendosur çadra, shezlongë dhe tavolina, pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, pranë një restoranti në lagjen “Uji i Ftohtë”, konstatuan se administratori i këtij subjekti, shtetasi G. I., 62 vjeç, banues në Orikum, kishte zënë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke publike prej 300 m², në të cilën kishte vendosur çadra, shezlongë dhe tavolina plazhi, pa qenë i pajisur me leje nga autoritetet përkatëse.
Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimi penal ndaj shtetasit G. I., për veprën penale “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga neni 200 i Kodit Penal.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.