Nga Amra Sabic-El-Rayess “The Spectator”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Një vit më parë, ushtarët ukrainas zbuluan prova të masakrës në Bucha, ku forcat ruse ekzekutuan me gjakftohtësi qindra qytetarë ukrainas. Në vend të pranimit të krimeve të saj, Rusia është përpjekur 12 muajt e fundit që t’i cilësojë masakrat e panumërta në Ukrainë si një komplot të frymëzuar nga Perëndimi.
Kremlini tha në atë kohë se akuzat janë një “falsifikim monstruoz” që synon denigrimin e ushtrisë ruse. Përpjekja për të fshehur të vërtetën përbën një paralele shqetësuese me fshehjen e mizorive që ndodhën në vendin tim, Bosnje, gjatë viteve 1990.
Në fakt ka një ngjashmëri rrëqethëse midis mohimit të sotëm të krimeve të luftës nga Rusia, dhe mohimit të gjenocidit që vazhdon në Bosnje deri më sot, mbi vrasjen e më shumë se 8.000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995.
Në fakt, një krahasim i thjeshtë i përgjigjes së Kremlinit, tregon se Rusia po vepron sipas manualit të propagandës serbo-boshnjake në vitet 1990. Narrativa konspirative anti-perëndimore, goditja e pamëshirshme e narrativave alternative dhe përdorim i qëllimshëm i këtyre mizorive për të forcuar mbështetjen e brendshme. Ngjashmëritë janë mbresëlënëse. Por jo të habitshme. Sepse Rusia ka qenë një mbështetëse e fortë e mohimit të gjenocidit serb të Bosnjës. Në vitin 2015, ajo vendosi veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit
të Kombeve të Bashkuara që do të dënonte si gjenocid Masakrën e Srebrenicës.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia mban lidhje të forta me Republikën Srpska (gjysma e Bosnjes e kontrolluar nga serbët). Udhëheqësi i saj Milorad Dodik i dha vitin e kaluar Vladimir Putini medaljen më të lartë të nderit si mirënjohje për “shqetësimin dhe dashurinë e tij patriotike” për serbët e Bosnjës.
Si një e mbijetuar e gjenocidit boshnjak, për mua është shqetësuese se si Rusia po përsërit metodat e përdorura nga udhëheqësit serbë të Bosnjes për t’iu shmangur përgjegjësive mbi krimet e luftës. Gjatë luftës në Bosnje, media e kontrolluar nga Serbia i interpretoi akuzat për krime lufte si dëshmi të një komploti të udhëhequr nga Perëndimi për të ndëshkuar padrejtësisht serbët për mizoritë që ata nuk i kanë kryer (apo që nuk kanë ndodhur).
Kjo fushatë propagandistike krijoi “mentalitetin e të rrethuarit” midis serbëve të zakonshëm, duke i afruar ata me sundimtarët autoritarë që ata mendonin se mund t’i mbronin nga fantazma e një rendi perëndimor shumë më të madh e më shkatërrues, i prirur për të shkatërruar në çdo rast serbët.
Në Republikën Srpska, ky kult i mohimit të gjenocidit shkoi përtej propagandës. Autoritetet qeverisëse ngritën 2 komisione për të hetuar Masakrën e Srebrenicës, njëri prej të cilëve arriti në përfundimin se burrat dhe djemtë boshnjakë u vranë si “pasojë e tmerrshme” e refuzimit të tyre për t’u dorëzuar tek forcat serbe të Bosnjes.
Natyrisht, kjo e çoi fajësimin e viktimave në një nivel krejtësisht të ri. Edhe Radovan Karadzic, ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjes që tani po vuan dënimin më burgim të përjetshëm për kryerjen e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit kundër myslimanëve boshnjakë, pretendon se myslimanët boshnjakë bombarduan dhe vranë njerëzit e tyre me snajperë.
Gjatë pushtimit të Ukrainës, Rusia ka përdorur taktika të ngjashme, duke fajësuar vazhdimisht viktimat për mizoritë e saj, dhe duke e akuzuar Ukrainën për granatimet e qyteteve të saj si dhe vrasjen e të burgosurve të saj. Edhe sot e kësaj dite, disa serbë i adhurojnë kriminelët e luftës.
Dhe kjo jo sepse serbët kanë një busull morale të prishur. Por ndoshta si rezultat i efektivitetit të fushatave propagandistike të viteve 1990. Për shembull kujtojmë mijëra njerëz që dolën në mbështetje të liderit serb të Bosnjes, Radovan Karadzic, kur ai u arrestua më në fund në vitin 2008 për përfshirjen e tij në gjenocidin ndaj boshnjakëve.
Ato tubime treguan se shumë serbë vazhduan që ta mbështesnin Karadzic. Ngjashëm, propaganda e sotme ruse rreth mizorive si Bucha dhe zona të tjera (për të cilat Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar 2 javë më parë një urdhër arresti për Putin) mund të jetë një nga faktorët që e forcon mbështetjen e brendshme ndaj Kremlinit.
Përveç kësaj, ai mund të shndërrohet në një mjet që i jep mundësi qeverive të huaja të justifikojnë moralisht mbështetjen e vazhdueshme për Rusinë. Prandaj është jetike që Perëndimi të mos humbasë kontrollin e luftës informative në konfliktin Ukrainë-Rusi, siç ndodhi gjatë luftës në Bosnje.
Sepse ndikimi i saj ndihet ende sot, ndërsa supremacistët e bardhë në të gjithë botën perëndimore ngrenë lart kriminelë lufte si Karadzic. Tashmë, postimet dezinformuese pro-ruse rreth masakrës së Bucha në Facebook janë më të njohura sesa postimet që tregojnë të vërtetën e asaj që ndodhi.
Gjithsesi në dallim nga vitet 1990, interneti ka bërë të mundur angazhimin e njerëzve në të gjitha nivelet. Sigurisht, interneti është një mjet i mirë për ata që dëshirojnë të përhapin dezinformata. Por ai është gjithashtu edhe një mjet i paçmuar për të kundërshtuar këtë ofensivë ruse të lajmeve të rreme.
Ky realitet e ka detyruar ushtrinë amerikane të ndryshojë qasje. Administrata e presidentit Joe Biden njoftoi publikisht se Rusia ishte gati të pushtonte Ukrainën një javë përpara se kjo
të ndodhte. Ky zbulim i të dhënave të shërbimeve sekrete, ishte pjesë e një taktike të gjerë nga ana e ushtrisë amerikane për të demaskuar strategjitë e Moskës, dhe për t’u përballur me fushatat e dezinformimit para se ato të nisnin.
Dhe kjo pasqyron një qasje dhe kulturë të re për të luftuar dhe parandaluar dezinformimin. Kundërshtimi i makinerisë së propagandës ruse është shumë i vështirë. Sepse tek e fundit, është më e lehtë të fabrikosh fakte sesa t’i vërtetosh ato.
Por disa hapa – si angazhimi i drejtpërdrejtë i popullit rus përmes fushatave strategjike transatlantike, bashkëpunimi në një mënyrë më efektive me kompanitë e teknologjisë të drejtuara nga Perëndimi dhe dërgimi i më shumë burimeve për të ndihmuar Ukrainën të kundërshtojë propagandën ruse në terren – mund të bëjnë diferencën në formësimin e pikëpamjeve të rusëve mbi atë që po ndodh aktualisht në Ukrainë. Histori si të miat, dhe histori nga Bucha, nuk mund të harrohen. Në besojmë se qasja ndaj tyre do të diktojë jo vetëm rezultatin e kësaj lufte katastrofike, por edhe të ardhmen e vetë Rusisë.
Shënim:Dr.Amra Sabic-El-Rayess u rrit në Bihac të Bosnje Hercegovinës. Ajo është drejtoreshë ekzekutive e Laboratorit Ndërkombëtar të Kërkimeve Ndërfetare në Universitetin e Kolumbias, Nju Jork.