Vjosa Osmani udhëton për në Paris, merr pjesë në Forumin e Paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të udhëtojë për në Francë. Ajo të enjten dhe të premten do të marrë pjesë në Forumin e Paqes që do të mbahet në Paris.

Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin nga Presidenca e Kosovës, por nuk kanë dhënë detaje për agjendën. Në ueb-faqen e Forumit është bërë e ditur se Osmani do të jetë një nga folëset.

Për në Paris do të udhëtojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ai në një konferencë për media ka bërë të ditur se në atje do të takohet me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe të deleguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Forumi i Paqes i Parisit është iniciativë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të bërë bashkë protagonistë të qeverive e të qeverisjes nga e tërë bota dhe për të diskutuar për ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë.


Shtuar 9.11.2022 16:32