Teksa situata paraqitet kritike në zonën e lumit të Vjosës, ku niveli i ujit ka arritur në 8,6 metër duke rrezikuar banesat që gjenden pranë, banorët refuzojnë që të largohen.
Një prej tyre, ka deklaruar për mediat se nuk largohen për shkak se aty kanë mallin e gjallë.
“Për ne që kemi bagëti është situatë shumë e keqe, nuk kemi ku vemi. Ja mallin do ta heqim, po silazhin ku ta çojmë, plus tokat që kemi marrë me qira. Ku do vete unë?
Deri tan s’na ka zënë, por po doli mua më zë 30 hektarë tokë. Kam ardhur me 2 nipërit, po e gdhijmë këtu. Me çfarë do i ushqejë djali këta? Këtu do ta kaloj natën, pastaj do iki të heq ato lopët nga stalla, t’i nxjerr në rrugë që të mos i zërë uji” tha ai për Euronews Albania.
