Vjedhje me dhunë në banesa, policia arreston 39-vjeçarin e shumëkërkuar, i dënuar dhe në Belgjikë

Policia ka vënë në pranga një 39-vjeçar nga Shkodra, i cili ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje me dhunë.

Ky shtetas, në shtator, në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë vjedhur me dhunë, në banesën e shtetases A. J., 46 vjeçe, 1500 paund, bizhuteri dhe sede të tjera, me vlerë. Gjithashtu ka kryer dhe një sërë vjedhjesh të tjera.

Nga veprimet hetimore rezultoi gjithashtu se, ai ishte kthyer deportiv nga Belgjika, ku kishte kryer dënimin, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

39-vjeçari është edhe me precedent të theksuar kriminal, për vjedhje me armë dhe me dhunë, në Shkodër dhe në Lezhë, në periudhën kohore 2009-2014, ku dhe ka kryer disa vite burgim.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes me armë dhe me dhunë, së pronës dhe pasurisë.

Kapet dhe vihet në pranga, një shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë, në disa banesa, të shumave të mëdhaja të parave (në lekë dhe në paund) dhe të sendeve me vlerë.

I ndaluari, me precedent të theksuar kriminal për vjedhje me armë dhe me dhunë, në Shkodër dhe në Lezhë, si dhe i dënuar në Belgjikë, për transport të lëndëve narkotike.

Zbardhen dhe dokumentohen një sërë vjedhjesh me dhunë, të ndodhura më parë, në qytetin e Shkodrës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Shkodër, mbështetur nga inteligjenca informative për vendndodhjen e një personi me precedent të theksuar kriminal, të shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Përsëritësi”.

Në kuadër të këtij operacioni, u kap në qytetin e Shkodrës, dhe u vu në pranga shtetasi P. F., 39 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, i cili ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje me dhunë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 25.09.2022, në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë vjedhur me dhunë, në banesën e shtetases A. J., 46 vjeçe, 1500 paund, bizhuteri dhe sede të tjera, me vlerë.

Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas ndalimit të këtij shtetasi, është bërë e mundur zbardhja e disa vjedhjeve të tjera me dhunë, të cilat dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dhe konkretisht:

Më datë 11.09.2022, në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë hyrë me forcë, në banesën e shtetases F. D., dhe i kanë marrë një shumë parash.

Më datë 23.10.2022, gjatë natës, në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë hyrë me forcë, në banesën e shtetasit R. B., 59 vjeç, ku kanë marrë me dhunë, rreth 600 000 lekë dhe sende me vlerë.

Nga veprimet hetimore rezultoi gjithashtu, se shtetasi P. F. ishte kthyer deportiv nga Belgjika, ku kishte kryer dënimin, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

39-vjeçari është edhe me precedent të theksuar kriminal, për vjedhje me armë dhe me dhunë, në Shkodër dhe në Lezhë, në periudhën kohore 2009-2014, ku dhe ka kryer disa vite burgim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, bashkëpunëtorë të këtij shtetasi, si dhe për zbardhjen e dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura ndër vite, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 24.11.2022 09:35