Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me vizitën e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë, pjesë e turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Berisha e ka cilësuar këtë vizitë si të rëndësishme dhe ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë.
Megjithatë, Berisha u shpreh kritik ndaj qeverisë, duke theksuar se Shqipëria aktualisht nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrim përveç atij gjeostrategjik dhe politikës së jashtme.
“Shqipëria aktualisht, përveç kriterit gjeostrategjik dhe politikës së jashtme nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin e saj në BE. Në qoftë se i referohemi popullit shqiptar, shtoj këtu se në këto vite, shqiptarët kanë ikur nga vendi i tyre më shumë se në çdo kohë lufte, fatkeqësish natyrore apo shkaqe të tjera”, tha Berisha ne konference me gazetaret.
Deklarata:
Në fakt sot është një ditë me shumë ngjarje, por ne po e nisim nga këto të shtëpisë tonë.
Sot, me vizitën në Tiranë, nis turin e saj në vendet e rajonit, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Me këtë rast, në emër të PD, i uroj asaj mirëseardhjen në Shqipëri dhe sukses në turin e saj.
Sikundër shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen më të thellë taksapaguesve europianë, Komisionit Europian dhe qeverive të BE për ndihmën bujare të jashtëzakonshme që në vite dhe dekada u kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Dua gjithashtu të falënderoj për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, akt që përbën një lehtësim të madh për qytetarët shqiptarë dhe të gjitha ato mikrotransaksione që ata kanë me të afërmit e tyre në Europë dhe në botë.
Por, ky është një rast gjithashtu për të deklaruar publikisht se PD, forca politike që ka anëtarësuar Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO, dhe që ka firmosur MSA-në, liberalizimin e vizave dhe që meritoi rekomandimin e KE për hapjen e negociatave, por që e pengoi me qëllim të keq Edi Rama, mbështet fuqishëm dhe do mbështesë për asnjë rezervë integrimin e plotë të Shqipërisë në BE si të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Por PD thekson se vetëm një proces integrimi i bazuar në meritën, funksionimin e shtetit ligjor, zgjedhjet e lira dhe ekonominë e tregut të lirë është interesi më i mirë i shqiptarëve.
Në këtë kuadër theksojmë se për PD, Shqipëria aktualisht, përveç kriterit gjeostrategjik dhe politikës së jashtme nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin e saj në BE.
Në qoftë se i referohemi popullit shqiptar, shtoj këtu se në këto vite, shqiptarët kanë ikur nga vendi i tyre më shumë se në çdo kohë lufte, fatkeqësish natyrore apo shkaqe të tjera.
Gjatë qeverisjes së Edi Ramës u larguan nga Shqipëria vetëm në hapësirën evropiane 1 milion e 99 mijë qytetarë të këtij vendi.