Vizioni 2030:Katër hapa drejt zgjerimit të ri të Bashkimit Evropian

Nga Piotr Buras & Engjellushe Morina “European Council on Foreign Relations

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, muajt e fundit ka përjetuar një ringjallje të jashtëzakonshme ambicia e ngecur prej kohësh për të pranuar anëtarë të rinj në Bashkimin Evropian. Në qershorin e vitit 2022, BE-ja i dha statusin e kandidates Ukrainës dhe Moldavisë.

Ndërkohë në maj të këtij vitit, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se dëshiron të “shohë sa më shpejt të jetë e mundur” zgjerimin e unionit. Kjo kthesë përbën një ndryshim të madh. Sepse në të kaluarën, Parisi e perceptonte pranimin e anëtarëve të rinj si një kërcënim për kohezionin e BE-së.

Ndërsa tani e sheh këtë si një parakusht të sovranitetit evropian. Ka jo pak arsye për të shpresuar se këtë herë gjërat do të ndryshojnë vërtet. Por mbështetësit e zgjerimit të BE-së nuk duhet të kenë asnjë iluzion. Entuziazmi për të mirëpritur anëtarët e rinj, mund të zhduket po aq shpejt sa masakrat në Bucha dhe Kramatorsk.

Skepticizmi dhe shqetësimet në lidhje me perspektivat për një BE të zgjeruar janë ende të përhapura, dhe këto rryma të fuqishme do të rishfaqen në mënyrë të pashmangshme. Këtë e tregoi edhe mosmarrëveshja e fundit mbi grurin, kur edhe mbështetësit më të fortë të Kievit, si Varshava, kërkuan pengimin e hyrjes së produkteve bujqësore të Ukrainës në tregun e përbashkët.

Prandaj, teksa energjia politike mbetet e fuqishme, kërkohen veprime të shpejta dhe të guximshme nga BE-ja. Samiti i BE-së në dhjetor të këtij viti nën presidencën spanjolle, është momenti që blloku duhet të përcaktojë se çfarë do të bëjë për ta bërë realitet këtë synim.

Ai duhet të hartojë dhe miratojë një plan funksional për të qenë në gjendje të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe 3 ish-republikat sovjetike, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. BE-ja duhet të bëjë 4 gjëra: të caktojë një datë konkrete për zgjerimin, konkretisht vitin 2030; të bjerë dakord për një plan për t’i përshtatur politikat e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj; të formulojë një “kriter të Madridit” të shtrirjes së politikës së jashtme për anëtarët aspirantë; dhe t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat.

2030 si data e synuar për zgjerim

Së pari, Bashkimi Evropian duhet të caktojë një datë të synuar për raundin e saj të ardhshëm të zgjerimit. Kjo nuk do të nënkuptonte pranimin e një detyrimi për të pranuar hyrjen ne vendeve që në fakt nuk janë gati. Procesi i zgjerimit duhet të mbetet, ose më mirë të bëhet i bazuar në merita.

Përkundrazi, ky angazhim do të ishte një premtim (gjeo) politik i Këshillit Evropian (dhe jo i Komisionit Evropian) për t’i hapur derën e anëtarësimit atyre që janë të aftë dhe të gatshëm për t’u anëtarësuar.

Viti 2030 – të paktën të jetë viti që shtetet të marrin pjesë në tregun e përbashkët, të bashkohen në axhendën e veprimit të bllokut për klimën dhe përfitojnë fonde nga BE – do të ishte ambicioze, por realiste dhe në përputhje me strategjitë e anëtarësimit të disa shteteve kandidate, si Maqedonia e Veriut. Ajo është shumë e afërt për t’u ndjerë si e arritshme dhe e vlefshme për investimin politik nga liderët e zgjedhur në shtetet kandidate.

Pajtohuni me “axhendën e Varshavës” mbi reformat e brendshme për t’u përgatitur për zgjerimin

Së dyti, pranimi i anëtarëve të rinj deri në vitin 2030 – pavarësisht nëse parashikohet anëtarësimi i plotë për ta deri atëherë, apo vetëm qasje tek tregu i përbashkët dhe fondet – do të kërkojë që BE-ja të rregullojë shtëpinë e saj. Leksionet e nxjerra nga zgjerimi i mëparshëm në lindje në vitin 2004 janë shumë udhëzuese.

Në vitin 1999, Bashkimi Evropian miratoi axhendën “Berlinit 2000”, për të siguruar që politikat e bllokut t’i përshtateshin realitetit të një unioni të zgjeruar. Ai ndërmori një sërë reformash të rëndësishme dhe me ndikim të gjerë në kuadrin e saj financiar dhe politikën bujqësore.

Ato u paraprinë nga një vlerësim i ndikimit dhe rekomandime politikash të paraqitura nga Komisioni Evropian dy vjet më parë. Tani ky zgjerim i ri, dhe anëtarësimi i Ukrainës në veçanti me sektorin e saj të rëndësishëm bujqësor, do të kërkojë një rishikim thelbësor të buxhetit të BE-së dhe politikës së përbashkët bujqësore.

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së duhet të përcaktojnë në muajt e ardhshëm rrugën drejt agjendës “Varshavë 2030”

Anëtarësimi i radhës do të ndodhë gjatë kornizës së ardhshme financiare shumëvjeçare 2028-2034, debati buxhetor për të cilin do të fillojë shumë shpejt. Nën presidencën polake në gjysmën e parë të 2025, BE-ja duhet të miratojë axhendën “Varshava 2030”, një plan gjithëpërfshirës për t’i bërë politikat dhe financat e BE-së të përshtatshme për zgjerimin e mëtejshëm.

Gjatë muajve të ardhshëm, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, duhet të përcaktojnë rrugën drejt axhendës së Varshavës dhe ta shpallin atë në samitin e BE-së në dhjetor 2023. Pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të vitit të ardhshëm, Komisioni i ri Evropian duhet të ofrojë një vlerësim të ndikimit dhe rekomandime për ta mbështetur këtë. Paralelisht, duhet të miratohet një proces reformash institucionale, me synimin që ato të përfundojnë deri në vitin 2030.

Miratoni “kriteret e Madridit” lidhur me politikën e jashtme

Së treti, BE-ja duhet të sigurohet që të jetë shumë e qartë mbi arsyen e raundit të ardhshëm të zgjerimit: nevojën gjeopolitike për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e BE-së. Është kjo arsyeja pse unioni duhet ta vërë akoma më shumë theksin tek harmonizimi i jashtëm dhe  siguria e partnerëve aspirantë dhe të kushtëzojë perspektivën e anëtarësimit me të.

Po ashtu, duhet ta bëjë të ditur publikisht se përafrimi i politikës së jashtme nuk është vetëm një detyrim i radhës, por një nga bazat. Tridhjetë vjet më parë, BE-ja miratoi kriteret e Kopenhagës në përgatitje për zgjerimin në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Ato përfshijnë demokracinë, sundimin e ligjit, ekonominë e tregut të lirë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përcaktimi i tyre shënoi një konfirmim të domosdoshëm të statusit nga BE-ja si një komunitet demokratik dhe i bazuar në rregulla, në funksion të ftesës që po u bënte vendeve ish-komuniste. Këto kritere mbeten në fuqi si një busull udhëzues i BE-së në politikën e zgjerimit.

Tani BE-ja duhet të sigurohet që harmonizimi i politikës së jashtme dhe të sigurisë të ketë një peshë politike të krahasueshme. Zyrtarisht, ajo tashmë është pjesë e metodologjisë së zgjerimit. Prandaj duhet të përqafojë një “kriter të Madridit” që në samitin e dhjetorit në Spanjë, duke deklaruar se do t’i mbështesë vendet që bëjnë përpjekje për të arritur harmonizimin, dhe nuk do të hezitojë t’i ndëshkojë ata që nuk arrijnë të bëjnë të njëjtën gjë.

Dhënia e statusit kandidat për Kosovën

Brukseli duhet të rishikojë qasjen e tij ndaj çështjeve dypalëshe ndërmjet anëtarëve të mundshëm. Mosmarrëveshja Kosovë-Serbi është e një rëndësie kyçe, dhe një test për aftësinë e BE-së për të përdorur ndikimin e saj në fqinjësinë e saj të afërt.

Deri tani qasja e saj ka dështuar, dhe kjo jo vetëm sepse nuk ka ofruar asnjëherë një perspektivë konkrete për anëtarësim në BE, si për Kosovën po ashtu edhe për Serbinë. BE-ja mund ta ndryshojë këtë rekord negativ, duke i dhënë Kosovës statusin e kandidatit, mundësisht që në samitin e BE-së në dhjetor të këtij viti.

Kjo mund të duket si një ëndërr e çuditshme pasi disa shtete anëtare – përfshirë Spanjën – nuk e njohin as pavarësinë e Kosovës. Por BE-ja mund të përdorë të njëjtin parim që i dha mundësinë të nënshkruajë me Kosovën në vitin 2015 Marrëveshjen e Stabilitetit dhe Asociimit:divergjenca në njohjen e shtetësisë, unitet në pranimin në BE.

Mbi të gjitha, kjo do të tregonte se Brukseli është serioz mbi karakterin gjeopolitik të procesit të zgjerimit. Po ashtu, kjo do të bënte që BE-ja të rifitonte levën e nevojshme për të kapërcyer pengesat e tjera në rrugën drejt një zgjerimi të suksesshëm: kërcënimet ndaj shtetësisë së Bosnjës, problemet dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe konfliktet e mundshme politike, për shembull midis Hungarisë dhe Ukrainës.

Shndërrimi i zgjerimit të ri në një realitet të suksesshëm – dhe përfundimi i punës, në rastin e shteteve të Ballkanit Perëndimor të mbetura prej kohësh në dhomën e pritjes – është sfida e kësaj epoke për BE-në dhe udhëheqësit dhe mbështetësit e saj politikë.

Do të duhen më shumë se sa fjalime të përzemërta dhe hapja e negociatave të reja. Dhe kjo do të kërkojë angazhime të forta, së bashku me planet shoqëruese për t’i realizuar këto, dhe përpjekjeve politike për t’i arritur ato. /albeu.com


Shtuar 5.07.2023 14:02

Tags: