Futbollisti i Real Madridit dhe i kombëtares së Brazilit, Vinicius Junior, dhe influencuesja e njohur Virginia Fonseca, e kanë bërë zyrtare lidhjen e tyre të martën (më 28 tetor), përmes një postimi të përbashkët në Instagram.
Në imazhin që u bë viral brenda pak minutash, shihet shtrati i zbukuruar me petale trëndafilash dhe balona në formë zemre, duke krijuar një atmosferë romantike që menjëherë tërhoqi vëmendjen e fansave.
Ky njoftim i dha fund muajve të tërë spekulimesh rreth marrëdhënies së tyre, e cila deri më tani ishte shoqëruar me paraqitje diskrete dhe thashetheme në rrjetet sociale.
Vetëm pas 15 minutash, postimi kishte kaluar 1.7 milionë pëlqime, duke u bërë viral në internet.

Publikimi po ashtu i dha fund zërave se futbollisti po shmangte ta bënte publike lidhjen, thashetheme që u përforcuan pas një episodi të komentuar gjerësisht, kur Vini Jr. mbuloi fytyrën me një pecetë gjatë pozimit për një foto pranë Virginias, ish-bashkëshortes së këngëtarit Zé Felipe.
