Një nga asetet e verifikuara nga Prokuroria e Posaçme, është një pronë e cila ndodhet në zonën e “Pazarit të Ri”, që sipas hetimeve rezulton të jetë në emër të prindërve të Redi Mollës, drejtorit të arrestuar i Ujësjellësit të Tiranës, lidhur me skandalin e korrupsionit dhe vjedhjeve përmes tenderave në Bashkinë e kryeqytetit.
Në dokumentet e siguruara nga “Ora News”, rezulton se për rikonstruksionin e saj është angazhuar pikërisht kompania “5D”.
Sipas dosjes, rezulton se për pasurinë e mësipërme është lidhur kontrata e qerasë me datën 21 mars 2023 kundrejt një pagese prej 6 mijë në muaj, për t’u përdorur për qëllime biznesi.
Mësohet se SPAK ka marrë në pyetje palën qiramarrëse, e cila ka deklaruar se vilën e ka marrë në gjendjë të rikonstruktuar dhe për pagesat kishte folur me Redi Mollën.
Shtetasja I. Sh, e cila ka marrë me qira objektin ka deklaruar se qiradhënësit janë: Selim dhe Ollga Molla, por që asnjëherë nuk i ka takuar.
Në pyetje është marrë dhe Klodjan Qypi, i cili ka treguar se vlera e vërtetë e vilës ka qenë 500.000 euro, por se atij i duheshin paratë dhe ka pranuar ta shesë për vlerën 300.000 Euro.
Ai deklaron se e ka takuar vetëm një herë Selim Mollën, kur kanë parë vilën dhe janë dakordësuar për shitjen e saj, dhe se vila ka qenë thuajse e rrënuar.
Sa më sipër, Prokuroria e Posaçme, rezultojnë të dhëna që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se dy pasuritë e mësipërme të paluajtshme, të regjistruara në pronësi të Z. Selim Molla dhe Znj. Olga Molla janë përfituar pjesërisht me burime financimi nga shoqëria “5D Konstruksion sh.p.k.”, burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
Po kështu, ka të dhëna se investimi që është kryer në lidhje me rikonstruksionin e objektit është financuar nga shoqëria “5D Konstruksion sh.p.k.”, ku pas kryerjes së këtij investimi, shifra e pasurisë është rivlerësuar në një cmim prej më tepër se dyfishi i atij të blerjes.