Aksi kombëtar Përrenjas–Elbasan, vijon të jetë i bllokuar prej orësh, duke lënë mijëra qytetarë të izoluar në automjete.
Qarkullimi është thuajse i paralizuar në disa segmente, ndërsa temperaturat nën zero po e vështirësojnë edhe më tej situatën.
Sipas informacioneve nga terreni, radhët e automjeteve shtrihen nga ura e Bushtricës deri në zonën e Labinotit, duke krijuar trafik të rënduar dhe lëvizje të pamundur në këtë aks të rëndësishëm kombëtar.
Drejtuesit e mjeteve raportojnë pritje të gjata pa asnjë mundësi lëvizjeje, ndërsa shqetësimi rritet për sigurinë dhe kushtet e qëndrimit në automjete, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.
Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet për shkaqet e bllokimit apo masat që po merren për normalizimin e qarkullimit, ndërsa situata mbetet problematike dhe pa zgjidhje të menjëhershme.


