Vidhnin naftën përmes tubave të fshehtë, policia vë në pranga 4 punonjësit Alpetrol

4 persona kanë rënë në prangat e policisë së shtetit pasi dyshohet se janë pjesë e një skeme të vjedhjes së naftës bruto në zonën naftëmbajtëse Visokë-Qafë e Kashit, që janë nën administrimin e Alpetrolit.

Në njoftimin e Policisë, në pranga kanë përfunduar: Arjan Kallashi, 49 vjeç me detyrë kryetar i degës teknike  Alpetrol, Selami Rustemi, 54-vjeç pergjegjës për mbarëvajtjen e dhe pompimit, Dilaver Idrizaj 56-vjeç dhe Dashamir Merkaj 54 vjeç, të dy punonjës të task forces.

Për çështjen, kallëzimi i parë ka dalë nga drejtori i Kabinetit i Alpetrol, i cili ka bërë kallëzimin duke pretenduar se të prangosurit janë kapur duke transportuar një sasi të konsiderueshme me naftë dhe ujë teknologjik të marrë në depozitat e Usojës, e cila do të injektohej në puset e Kashit.

Dyshohet se nafta bruto mund të jetë vjedhur me autobotët që duhet të pomponin ujë në shtresat e nëntokës, një proces teknologjik që kryehet në puset e naftës, duke vjedhur kështu karburantin bruto. Megjithatë hetimet vazhdojnë për të mësuar nëse në këtë skeme vjedhjeje të naftës janë përfshirë edhe persona të tjerë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Fier

Vihen në pranga 4 punonjës të kompanisë “Alpetrol” për shpërdorim detyre. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 49 vjeç, banues në Fier, me detyrë kryetar i degës teknike Alpetrol; S. R., 54 vjeç, banues në Fier, pergjegjës për mbarëvajtjen e seperatorëve dhe pompimit.;D. I., 56 vjeç, banues në Fier dhe D. M., 54 vjeç, banues në Ballsh, punonjës të task forcës në Alpetrol.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi Y. S., me detyrë Drejtor i Kabinetit të Alpetrol, se këta shtetas në datë 07.12.2021 kanë vepruar në kundërshtim me urdhërin e brendshëm të Drejtorit të kompanisë Alpetrol, duke transportuar një sasi të konsiderueshme me naftë dhe ujë teknologjik të marrë në depozitat e Usojës, e cila do të injektohej në puset e Kashit. Materialet do i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. /albeu.com/

 


Shtuar 8.12.2021 15:40