Vidhnin mjete luksi jashtë dhe i shisnin në Shqipëri, si e pësojnë tre shtetasit në Tiranë

Policia ka vënë në hetim 3 shtetas shqiptarë, banues në Tiranë, të cilët dyshohet se vidhnin makina luksozve në vendet e BE-së dhe i shisnin në Shqipëri, duke u modifikuar numrat e shasisë apo paketat elektronike. Gjithashtu në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tyre, nga Maqedonia e Veriut. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 automjete të trafikuara.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lux 2022”.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Trafikonin mjete të vjedhura në vendet e BE-së, procedohen penalisht 3 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 4 automjete të trafikuara, të dyshuara të vjedhura në vendet e BE-së.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se disa shtetas trafikonin në vendin tonë, mjete të vjedhura në shtete të ndryshme të BE-së, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lux 2022”.

Në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, shtetasit B. S., E. N. dhe E. K., të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Z. D., banues në Maqedoninë e Veriut.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 automjete të trafikuara, të dyshuara të vjedhura në vendet e BE-së. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këto automjete u janë nënshtruar ndërhyrjeve dhe modifikimeve në numrat e shasisë apo paketat elektronike dhe më pas janë tregtuar te persona të ndryshëm.

Vijon puna për dokumentin e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të jetë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com