VIDEOLAJM/ “Parti Enver jemi gati kurdoherë”, pas miratimit të programit dhe kabinetit, opozita ironizon mazhorancën, rregullorja fluturon mbi kokën e ministrave

Seanca e sotme parlamentare, është shoqëruar me debate dhe tensione. E parashikuar të ishte maratonë, zgjati vetëm 20 minuta, pasi deputetët e opozitës nuk lejuan që kryeministri Rama të prezantonte programin.

Pas miratimit me 82 vota të programit qeverisës dhe kabinetit të ri të propozuar nga Kryeministri Edi Rama, tensionet në sallën e Kuvendit u përshkallëzuan.

Opozita reagoi me ironi, duke përdorur slogane të epokës komuniste për të sulmuar mënyrën se si mazhoranca po e drejton vendin.

“Parti Enver jemi gati kurdoherë”, ishte thirrja ironike që u dëgjua në sallën e Kuvendit, ndërsa deputetët e opozitës protestuan për mënyrën e miratimit pa debat të programit dhe kabinetit të ri.

Për të shprehur revoltën, deputetët opozitarë hodhën rregulloren e Kuvendit drejt foltores dhe drejt vendeve ku ishin të ulur ministrat dhe kryeministri Edi Rama.

 


Shtuar 18.09.2025 11:21