VIDEO/ Sherri fizik midis deputetëve në Kuvend, reagon Shehaj: PD ka interes që socialistët të qëndrojnë në pushtet!

Deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar për sherrin që ka pasur këtë të enjte me kolegun Flamur Noka në foltoren e Kuvendit. Në fakt, ishte Noka ai që e shtyu me forcë Shehajn duke e larguar, një ngjarje që nuk ishte parë mes anëtarëve të një force politike.

Ai ka ndarë një video nga përplasja në Kuvend dhe akuzon Flamur Nokën, si sekretar i PD, se partia më e madhe opozitare në vend ka interes të mbajë në pushtet mazhorancën socialiste.

“Të dashur miq, ajo që ndodhi sot në Kuvendin e Shqipërisë është e paprecedentë në këto 33 vjet demokraci. Një përfaqësues i opozitës që i kërkon llogari mazhorancës dhe ministres për një aferë prej 1.3 mld euro largohet me dhunë nga foltorja jo nga përfaqësues të mazhorancës, jo nga garda, por nga sekretari i partisë opozitare më të madhe në Shqipëri.

Kjo tregon qartë që të gjithë kanë një interes të mbajnë pushtetin e tyre si ata që janë në pushtet dhe ata që janë në opozitë. Por kam një mesazh për të gjithë ata që mendojnë se me dhunë mund të na ndalojnë. Ne nuk dorëzohemi.

Jemi të vetëdijshëm që i gjithë sistemi ka interes që gjërat mos të ndryshojnë që të vazhdojnë në këtë mënyrë. Ne do të vazhdojmë, nuk dorëzohemi aty do na keni pavarësisht dhunës që ju ushtroni”, shkruan Agron Shehaj, kreu i Partisë Mundësia.


Shtuar 19.12.2024 21:16